Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk kanë dhënë koment lidhur me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës në seancën e 6 tetorit.
Në një përgjigje për VOX Kosova, pas pyetjeve lidhur me efektin juridik të ndryshimeve të miratuara nga Kuvendi, Dhomat e Specializuara kanë thënë se nuk kanë koment për momentin.
“Për momentin nuk kemi asnjë koment. Dhomat e Specializuara janë plotësisht të përqendruara në përmbushjen e mandatit të tyre për të garantuar gjykime të drejta, të paanshme dhe të sigurta, si dhe për të siguruar mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave”, thanë nga Gjykata Speciale.
Në seancën e 6 tetorit, Kuvendi i Kosovës miratoi edhe në lexim të dytë Ligjin për Specialen.
Ligji i ri për Dhomat e Specializuara, ndër të tjera, parasheh ngushtimin e juridiksionit të Speciales vetëm në veprat që lidhen me trafikimin dhe nxjerrjen e organeve njerëzore, shkurtimin e periudhës kohore të mandatit nga 1998 në korrik të vitit 1999, uljen e dënimit maksimal nga burgimi i përjetshëm në 15 vjet, transferimin në Kosovë të rasteve që nuk hyjnë në juridiksionin e saj, vuajtjen e dënimeve në institucionet korrektuese të Kosovës dhe mundësinë e faljes individuale nga Presidenti.









