E gjendur në defensivë, posaçërisht pas raportit të Organizatës “The Bar Human Rights Committee of England and Wales” (BHRC), ku u konstatuan shkeljet e Gjykatës Speciale në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kryetarja e Speciales, Ekaterina Trendafilova, ka publikuar një video duke tentuar që të shpjegojë çështje procedurale, pa adresuar asnjë nga kritikat që i janë bërë.
“Unë jam përgjegjëse për administrimin gjyqësor të Dhomave të Specializuara që përfshin, ndër të tjera, caktimin e gjykatësve në çështjet gjyqësore, siç përcaktohet në kornizën ligjore të Dhomave të Specializuara”, thotë Trendafilova për punën e saj.
Një nga aspektet më të rëndësishme të një institucioni gjyqësor si Dhomat e Specializuara ajo thekson se “është pavarësia, paanshmëria dhe profesionalizimi i gjykatësve – parime mbi të cilat është themeluar dhe funksionon Gjykata”.
Reputacioni i gjykatësve, konsideron ajo, “është i pacenueshëm”. “Të gjithë gjykatësit kanë bërë betimin që të jenë të pavarur nga çdo ndikim i jashtëm gjatë ushtrimit të detyrave të tyre”.
Pikërisht këtu qëndron ironia.
Një nga kritikat kryesore të avokatëve britanikë është roli i zgjeruar i gjyqtarëve, i cili, sipas raportit, rrezikon të cenojë parimin themelor të një gjykimi të drejtë: barazinë e armëve mes palëve.
Raporti vëren se gjyqtarët nuk po kufizohen në rolin e arbitrit neutral, por po ndërhyjnë aktivisht në ndërtimin e çështjes. Ata kanë bërë dhjetëra orë pyetje ndaj dëshmitarëve, shpesh përtej asaj që ka paraqitur vetë prokuroria. Në disa raste, sipas raportit, gjyqtarët kanë përdorur dokumente që nuk ishin pjesë e provave të pranuara, madje edhe materiale të marra nga interneti, pa njoftim paraprak për mbrojtjen. Një praktikë e tillë, thuhet në raport, “krijon kushtet që trupi gjykues të funksionojë si një prokuror i dytë”.
“Korniza e Dhomave të Specializuara i jep Trupit Gjykues një liri të konsiderueshme si përcaktues i fakteve dhe ligjit. Pa kufizime të qarta, kjo mund të krijojë kushte që Trupi të funksionojë si një ‘prokuror i dytë’, duke ndikuar në barazinë e armëve. Mbrojtja përballet jo vetëm me çështjen e Prokurorisë, por edhe me atë të Trupit Gjykues, me pasoja të qarta për burimet dhe strategjinë”, theksohet në raportin që ka mbi 90 faqe.
Por, këto shqetësime që janë ngritur nga avokatët britanikë nuk adresohen fare në paraqitjen e Trendafilovës, të publikuar të dielën.
Ajo, derisa i thur lavde për gjoja profesionalizmin e tyre dhe tregon se si është procedura për përzgjedhjen e tyre dhe kriteret që duhet t’i përcaktojnë për t’u bërë pjesë e Speciales, thekson se përgjegjësi e gjykatësve është që “të sigurojnë që gjykimet të jenë të sigurta dhe të kryhen në mënyrë të drejtë dhe të pavarur duke respektuar plotësisht të drejtat e të akuzuarve”.
Edhe këtu, ajo injoron shqetësimet që janë ngritur vazhdimisht nga juristë brenda dhe jashtë vendit për shkeljen e të drejtave të njeriut ndaj ish-krerëve të UÇK-së, siç është mbajtja e tyre e gjatë në paraburgim, në kundërshtim me standardet ndërkombëtare, apo fshehja e provave shfajësuese.
Pas raportit të avokatëve britanikë, Specialja bëri një sërë përpjekjesh publike për të sqaruar gjetjet e tij.
Gjykata u dërgoi edhe e-mail ambasadave të vendeve të Bashkimit Evropian të akredituara në Hagë, lidhur me këtë raport.









