Ambasadat e shteteve perëndimore të akredituara në Kosovë nuk e kanë bërë asnjë reagim në lidhje me mosformimin e Qeverisë.

Në seancën e së dielës (26 tetor), Albin Kurti, i mandatuar nga Presidentja Vjosa Osmani për të formuar qeverinë e re si fitues i zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk i mori 61 votat e nevojshme për të marrë drejtimin e ekzekutivit për herë të tretë.

Për dallim nga herët e tjera, ku ambasadat e vendeve perëndimore kanë bërë thirrje për krijim sa më parë të institucioneve, kësaj radhe nuk pati asnjë reagim as para, as pas dështimit të Kurtit për ta krijuar qeverinë.

Reagim nuk pati as nuk nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, as nga ajo e Bashkimit Evropian, as nga ajo e Gjermanisë, as nga ajo e Francës e as nga ajo e Britanisë së Madhe.

Gjatë kohës sa Albin Kurti ka qenë në Qeveri, posaçërisht në Kurti 2, ka pasur raporte të tensionuara me ndërkombëtarët.

Madje, në qershor të vitit 2023, BE-ja, për herë të parë në histori, vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës, një pjesë e të cilave vazhdojnë të jenë aktive sot e kësaj dite.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës pos kritikave të vazhdueshme, më 12 qershor të këtij viti, pezulluan Dialogun Strategjik me Kosovën, për shkak, siç thanë ata, të shqetësimeve lidhur me veprimet e qeverisë në detyrë të drejtuar nga Albin Kurti.

Një ditë pasi që dështoi për ta krijuar Qeverinë, Kurti doli në një konferencë për media ku tha se në situatën aktuale, zgjedhjet janë zgjidhja e vetme, pasi që sipas tij, ai “refuzon ta shtrembërojë rezultatin e zgjedhjeve”.

Përveç Kurtit, edhe partitë tjera – PDK, LDK dhe AAK – janë shprehur të gatshëm për zgjedhje të reja parlamentare.

Ndryshe, Kosova ka hyrë në një krizë politike tash e disa muaj. Fillimisht bllokada u krijua me konstituimin e Kuvendit, më pas me nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e komunitetit serb dhe tani me krijimin e Qeverisë.