Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me presidenten e re të vendit, Justina Shiroka-Pula.

Pas takimit të parë me presidenten, Kurti tha se ka gjetur mirëkuptim, gatishmëri dhe vullnet për bashkëpunim institucional, duke theksuar se institucionet e vendit duhet të bashkërendohen për përballimin e sfidave shtetërore.

“Republika e Kosovës më në fund, pas më shumë se një viti e gjysmë, ka institucionet gjithësisht funksionale, dhe tash natyrisht që nuk kemi kohë për të humbur dhe duhet të bëhemi bashkë për shumë sfida shtetërore që i kemi përpara”, tha Kurti.

Ai e cilësoi takimin me Shiroka-Pulën si të përzemërt dhe tha se të dyja palët janë zotuar për punë të përbashkët në interes të shtetit dhe qytetarëve.

Pas përfundimit të fjalimit, ndonëse pati insistim nga gazetarët, kryeministri nuk pranoi pyetje.

Për takimin njoftoi edhe Presidenca, të cilët ishin të shkurtër në njoftimin e tyre.

“Gjatë takimit, Presidentja Shiroka-Pula shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe bashkërendim ndërmjet institucioneve, në shërbim të qytetarëve dhe të interesave të vendit”, thuhet në komunikatë.

Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente e Kosovës më 7 tetor, pas një marrëveshjeje të arritur në momentet e fundit mes Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet dhe Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë.