Ia shkruan emrin në maqedonisht, ndonëse Gjuha Shqipe është gjuhë zyrtare, nuk e tha asnjë fjalë për Grupin e Kumanovës, pjesë e të cilit është edhe kunati i saj dhe dërgoi mesazh përçarës, duke mos takuar përfaqësuesit e opozitës shqiptare.

Kjo është përmbledhja e vizitës së Albulena Haxhiut, Kryetares së Kuvendit, në Maqedoni të Veriut, të martën.

Takimin e parë në Shkup, Haxhiu e zhvilloi me homologun e saj, Afrim Gashi. Më pas takoi Presidenten maqedonase, Gordana Siljanovska-Davkova.

Haxhiu u takua edhe me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski. Në fotografitë që publikoi në Facebook, emri i Haxhiut i ishte shkruar në gjuhë maqedonase, ndonëse Gjuha Shqipe është zyrtare atje.

Nga deklarimet publike që bëri dhe postimet në rrjetet sociale, Haxhiu nuk e përmendi askund Grupin e Kumanovës, pjesë e të cilit është edhe kunati i saj, Muhamet Krasniqi, i njohur si Komandat Malisheva.

Kur Grupi i Kumanovës ishte dënuar në vitin 2017 me rreth 800 vjet burg nga institucionet e drejtësisë maqedonase për ngjarjen që kishte ndodhur në Lagjen e Trimave në Kumanovë në maj të vitit 2015, Lëvizja Vetëvendosje, partia ku bën pjesë Haxhiu, kishte thënë se rasti gjyqësor ndaj tyre “është i montuar”.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! e konsideron vendimin e Gjykatës Themelore të Shkupit kundër ‘Grupi i Kumanovës’ si të motivuar politikisht dhe si trajtim jonjerëzor e degradues në kundërshtim me konventat për të drejtat e njeriut”, thonin nga VV-ja më 2 nëntor të 2017-së, derisa kërkonin edhe hetim ndërkombëtar për këtë çështje.

Madje, partia që aktualisht ka pushtetin theksonte se ka pasur edhe raste të tjera gjyqësore të shqiptarëve në Maqedoni që “kanë rezultuar si procese të montuara nga autoritetet shtetërore, duke i diskredituar pushtetet e hetuesisë dhe gjyqësisë”.

Por, tani si pushtetare, Albulena Haxhiu, në vizitën e saj në Shkup, nuk e tha asnjë fjalë për këtë çështje.

Asnjë fjalë nuk e ka thënë as shefi i saj, Albin Kurti, i cili ka marrëdhënie të shkëlqyera me homologun maqedonas, Mickoski.

Jo vetëm kaq.

Në vizitën e saj në Shkup, Haxhiu bëri ndasi te shqiptarët.

VLEN-in – përfaqësuesit e shqiptarëve në Qeverinë maqedonase – i takoi e u shëtit me ta nëpër Çarshinë e Shkupit, por nuk u takua me Ali Ahmetin, Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, e as me ndonjë përfaqësues të BDI-së.