Hoti ka thënë se reagimi qytetar ndaj kundërshtimit të Qeverisë për gazin amerikan është i domosdoshëm.
Ish-Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se reagimi qytetar është “i domosdoshëm” pas kundërshtimit të Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, për lidhjen e Kosovës me projektin amerikan të gazit.
“Në një kohë kur qeveria po e kundërshton këtë projekt, heshtja nuk është opsion. Reagimi qytetar është i domosdoshëm për të treguar se populli i Kosovës mbetet fuqishëm i rreshtuar krah aleancës me SHBA-në dhe vlerave euroatlantike”, shkroi Hoti në Facebook.
Kosova, vlerëson Hoti, “nuk guxon të largohet nga rruga që e ka sjellë deri këtu”. “Ky është moment për zërin e qytetarëve”.
“Çështja e projektit të gazit është shumë më e madhe dhe më serioze sesa po paraqitet sot. Kjo nuk është vetëm një çështje infrastrukture apo energjie është një provë e qartë për orientimin strategjik të Kosovës dhe për raportin tonë me aleatin tonë historik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, beson ish-kryeministri.
Kryeministri Kurti ka hedhur poshtë mundësinë që një infrastrukturë e Gazit të Lëngshëm Natyror Amerikan të ndërtohet në Kosovë. Sipas tij, një e tillë duhet të bëhet në Vlorë, e pastaj nga aty gazi të transferohet si energji elektrike në Kosovë.
“Republika e Kosovës ka gatishmëri që të investojë në Terminalin në Vlorë dhe paramendojeni një situatë kur për shembull ne kemi një përqindje të aksioneve si Republikë e Kosovës në Terminalin në Vlorë. Dhe aty mund të vijë gazi i lëngshëm prej jashtë, të shndërrohet në energji elektrike dhe me interkoneksionin prej 400 kiloëolt që kemi me Shqipërinë ta sjellim tek ne”, tha Kurti në RTK, një ditë para zgjedhjeve të 7 qershorit.









