Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se “për Kosovën, drejtësia për krimet e luftës është detyrim ndaj viktimave”. Këtë konstatim ajo e dha në një takim që pati me Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Dirk Schübel. Ajo, nuk citohet të ketë thënë ndonjë fjalë për aktgjykimin dënues të Dhomave të Specializuara kundër krerëve të UÇK-së, kundër së cilit po protestohet që dy javë në Prishtinë e qytete tjera brenda e jashtë Kosovës.
Në një konferencë të mbajtur të shtunën më 26 shtator, Gërvalla tha se “është në anën e viktimave”.
“Gjithmonë jam prononcuar dhe kam folur në anën e viktimave. Sa herë që qëndroj pranë familjarëve, fëmijëve të viktimave, qoftë atyre të para luftës, gjatë luftës apo edhe atyre të pas luftës, unë gjithmonë marr anën e viktimave”, tha ajo të shtunën.
Më 16 shtator në Hagë, Trupi Gjykues në Dhomat e Specializuara dënoi me 81 vjet burg në total krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.
Mbrojtja e katërshes ka njoftuar se do të apelojë vendimin, për çka tanimë veç është caktuar paneli i gjyqtarëve të Apelit.









