Tre orë pas zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, Nenad Rashiq, asnjë përfaqësi diplomatike në Kosovë, në veçanti ato të vendeve të QUINT-it, nuk ka dhënë ende asnjë deklaratë.

Përkundër angazhimeve të tyre të mëhershme — me deklarata publike dhe takime me përfaqësues politikë e institucionalë për ta zhbllokuar ngërçin — tash, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania, Franca dhe Italia nuk kanë thënë asnjë fjalë.

Zgjedhja e Nenad Rashiqit ka lënë sërish disa dilema nëse është bërë në mënyrën e duhur, pasi ekzistojnë interpretime se propozimi për të do të duhej të vinte nga grupi më i madh i komunitetit serb në Kuvend.

Vetëm një ditë më parë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Anu Prattipati, me të cilën ka biseduar për funksionalizimin e institucioneve pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit dypalësh, si dhe për pritshmëritë rreth funksionalizimit të plotë të institucioneve, pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Rashiq mori 71 vota për, 24 abstenime dhe nëntë kundër.

Zgjedhja e tij erdhi pasi nëntë deputetët e Listës Serbe dështuan tri herë secili për t’i siguruar votat e nevojshme.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje votuan pro, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës abstenoi.

Lista Serbe e ka kundërshtuar procedurën e zgjedhjes dhe, çuditërisht, në Kuvend fliste për “shkelje të Kushtetutës së Kosovës”.

Ende nuk dihet nëse kjo parti do ta dërgojë sërish çështjen në Gjykatën Kushtetuese.