Zyra e Ambasadorit të Kosovës në Holandë është 10 minuta larg nga ndërtesa e Gjykatës Speciale, aty ku mbahen seancat dëgjimore në gjykimin kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Por, për Dren Dolin, ish-anëtarin e shoqërisë civile, që me ardhjen e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në pushtet u bë ambasador në Holandë, kjo rrugë ka qenë shumë e gjatë.
E hëna, dita kur nisi dëshminë e tij ish-diplomati amerikan James Rubin, ishte e rralla herë kur ai u shfaq para këtij objekti për të hyrë në galerinë e publikut – ku edhe përcillen seancat drejtpërdrejt.
Para mediave, shkurt ai foli për interesimin e punën e Ambasadës në këto 5 vjet, prej se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhën të mbyllur në Hagë.
“E përcjellim çdo herë – ose online, ose me prezencë fizike. Asnjëherë nuk është asnjë seancë e cila nuk monitorohet nga ambasada me kujdesin më të madh”, tha Doli të hënën para mediave, teksa po hynte në objektin e Gjykatës Speciale.
Në fakt, prezenca e Dolit dhe e zyrtarëve tjerë diplomatikë në ambasadë ka qenë shumë e rrallë.
VOX Kosova merr vesh se ata kanë qenë shumë pak në seanca apo të jenë interesuar në mënyra të tjera për procesin.
Një nga to, kur është parë shkurt dikush nga ta në pjesën e publikut, ka qenë dita kur nisi gjykimi, 3 prill 2023; më pas, para gati dy muajve, kur Paneli i Gjyqtarëve dha vendimin për mocionin e mbrojtjes për rrëzimin e një pjese të aktakuzës; dhe tash, kur nisën dëshmitarët e mbrojtjes dhe vëmendja e mediave dhe publikut ishte si asnjëherë e madhe.
Janë më shumë se dy vjet e gjysmë që mbahen seanca dhe mbi 120 dëshmitarë të prokurorisë kanë qenë në sallë.
Si për ironi, diçka pak më shumë se 10 minuta është Ambasada e Kosovës larg një parku në Hagë, ku u mbajt protesta në mbrojtje të UÇK-së e kundër devijimeve të Gjykatës Speciale.
Mijëra qytetarë nga mbarë Evropa dhe Kosova bënë mbi 10 orë rrugë për të marrë pjesë në protestë, e askush nga ambasada nuk u pa aty.
Madje, as nuk thanë ndonjë fjalë në faqet e tyre zyrtare, diçka që e bëri Ambasada e Shqipërisë, duke shpërndarë imazhe për t’i dhënë jehonë shprehjes së një pakënaqësie qytetare ndaj gjykimit të luftës për liri e pavarësi.

Ambasadori i Shqipërisë në Holandë, Artur Kuko, nuk ka hezituar të flas me kritika ndaj procesit dhe në mbrojtje të UCK-së. Të hënën ai deklaroi se populli e tregoi edhe në Hagë zërin e vetë.
“Unë kisha vetëm një koment të shkurtër: dje foli populli. Dhe ne kuptuan që liria ka jo vetëm emër por edhe zë të lartë, të fortë. Shpresojmë shumë për drejtësi në këtë proces”, u shpreh ai.
Më e çuditshmja që ndodhi atë ditë në Hagë ishte që, krahas objektit të Gjykatës Speciale, forcat policore holandeze e ruajtën edhe objektin e Ambasadës së Kosovës.
Ambasadori tha se ata nuk e kanë kërkuar prezencën e policisë.
“Nuk e di, ndoshta kanë pasë ndonjë informacion. Asnjëherë ne nuk kërkojmë mbrojtje nga populli i Kosovës”, u përgjigj ai të hënën.

Se çfarë ka bërë Ambasada për procesin në Hagë, është e pamundshme të merret një përgjigje zyrtare nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
VOX Kosova ka nisur pyetje që disa javë për punën e ambasadës rreth procesit gjyqësor kundër krerëve të UÇK-së.
Asnjë përgjigje nuk është dhënë nëse kanë raportuar për një mori shkeljesh të të drejtave të njeriut, për mënyrën e gjykimit, për mungesën e transparencës, për sjelljet në qendrën e paraburgimit, për ndalimin e vizitave, apo edhe shqetësimet për provat nga Serbia.
Asnjë përgjigje nëse kjo ambasadë ka takuar ndonjë organizatë ndërkombëtare, institucion ndërkombëtar apo holandez për të shprehur këto shqetësime.
Zyrtarë të Ministrisë së Jashtme i kanë thënë VOX Kosovës, në kushte anonimiteti, se në raportet e punës së kësaj ambasade nuk ka asgjë të shkruar për takime të tilla, në krejt këto vjet gjykim.
Ministria nuk ka kthyer përgjigje nëse stafi diplomatik i Ambasadës është rritur nga viti 2020, duke e parë peshën e madhe historike për vendin që ka procesi gjyqësor.
Por, VOX Kosova merr vesh nga burime brenda ministrisë se stafi diplomatik përbëhet nga 3 persona: ambasadori dhe dy sekretarë. Dhe kështu ka qenë që nga viti 2020.
Angazhimi i Ambasadës për krerët e UÇK-së në këto vjet ka qenë teknik. Ajo ka asistuar, kohë pas kohe, rreth transportit të familjarëve nga aeroportet e Holandës deri në qendrën e paraburgimit në Hagë.