Sot, në Kosovë, zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare për Kuvendin e Kosovës. Qendrat e votimit do të hapen në orën 7:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 2 milionë e 76 mijë e 290 qytetarë. Votimi do të zhvillohet në 948 qendra të votimit, të cilat kanë 2 mijë e 614 qendra të votimit.

19 mijë e 187 qytetarë kanë pasur të drejtën për të votuar të shtunën nëpër përfaqësitë diplomatike të Kosovës jashtë vendit – në 16 ambasada dhe 13 konsullata në 18 shtete të botës. Për këto zgjedhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar 76 mijë aplikime nga diaspora, që përfshijnë votimin me postë dhe votimin fizik në ambasada dhe konsullata të Kosovës.

Në këto zgjedhje garojnë 22 subjekte politike. 18 prej tyre janë parti politike, 3 koalicione parazgjedhore, 2 iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.

860 është numri i vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë për të monitoruar nga afër procesin zgjedhor. Një delegacion do të jetë edhe nga Parlamenti Evropian.

Që procesi i votimit të jetë i drejtë dhe pa probleme, janë angazhuar qindra forca policore dhe 100 prokurorë janë angazhuar për mbrojtjen e votës.

Këto janë zgjedhjet e treta që zhvillohen këtë vit në Kosovë. Fillimisht u mbajtën zgjedhjet nacionale më 9 shkurt, por që partitë nuk arritën të krijojnë institucionet e reja të dalura nga këto zgjedhje, dhe më pas zgjedhjet lokale – raundi i parë më 12 tetor dhe raundi i dytë më 9 nëntor.