Daut Haradinaj ka njoftuar se nuk do ta marrë mandatin e deputetit në Kuvendin e Kosovës, duke deklaruar se vendimin e tij e ka marrë për t’i dhënë përparësi bashkëpunëtorëve dhe listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Në një postim publik, Haradinaj ka theksuar se e ka mbajtur fjalën e dhënë ndaj bashkëluftëtarëve dhe mbështetësve të tij, duke e konsideruar këtë vendim si një obligim moral.

“Fjalën e dhënë e mbajta dhe gjithmonë do të jem krah jush. E kam pasur obligim moral që këtë betejë t’ia dhuroj shpërblimin Ardian Gjinit,” ka shkruar ai.

Ai ka shtuar se ndihet i përmbushur dhe falënderues ndaj të gjithë atyre që e kanë mbështetur, duke theksuar se mandati i deputetit nuk është qëllimi i tij kryesor.

“Jam dhe do të jem gjithmonë Aleancë, por mandatin si deputet kësaj radhe e le për t’ju lëshuar vend të tjerëve në listën tonë fantastike,” ka deklaruar Haradinaj.

Në fund të postimit, ai ka uruar Ardian Gjinin dhe ka shprehur krenarinë për mbështetësit e tij, duke theksuar se do të mbetet gjithmonë pranë tyre.

“Urime Ardian Gjini, krenohemi me ty. Veçanërisht krenar me ju që më besuat,” ka përfunduar ai.