Ekuipazhi i Artemis II është zyrtarisht në rrugën e tyre drejt Hënës, pasi përfunduan me sukses ndezjen kritike për injektimin translunar.
Kjo ndezje ishte aktivizimi i fundit i madh i motorëve të misionit dhe e vendosi anijen në trajektoren “free-return” që do ta kthejë ekuipazhin përsëri në Tokë për ulje në oqean.
Para kësaj, ekuipazhi fjeti në dy cikle, shkruan CNN. Pas katër orësh, ata u zgjuan për të rregulluar orbitën e kapsulës Orion dhe më pas u kthyen të flinin edhe për katër orë të tjera.
Kur u zgjuan, astronauti i NASA-s Reid Wiseman përfundoi rutinën e tij të ushtrimeve në pajisjen me volant të Orion-it, duke u bërë anëtari i parë i ekuipazhit që ushtrohej që nga nisja.
Ndezja për injektimin translunar zgjati pesë minuta. Pasi astronautët vendosën kursin e tyre, astronauti i Agjencisë Hapësinore Kanadeze Jeremy Hansen tha: “njerëzimi edhe një herë ka treguar se për çfarë është i aftë, dhe janë shpresat tuaja për të ardhmen që na çojnë përpara në këtë udhëtim rreth Hënës”.
Sipas zyrtarëve të NASA-s, ndezja për injektimin translunar ishte e përsosur, duke mundësuar që njerëzit të largohen nga orbita e Tokës për herë të parë që nga misioni Apollo 17 në vitin 1972.
Gjatë eventit të tyre të parë publik me median, Wiseman tha se pesha e vërtetë e këtij misioni historik po fillon të kuptohet nga astronautët. “Dërgimi i katër njerëzve 250 mijë milje larg është një përpjekje gjigante, dhe tani po e kuptojmë seriozitetin e kësaj”.
Ekuipazhi gjithashtu u shpreh i habitur që misioni me të vërtetë u nis.
Ata do të kalojnë edhe 8 ditë të tjera në hapësirë.
Ndezje më të vogla për korrigjimin e trajektores orbitale do të ndodhin gjatë ditëve në vijim, duke siguruar që Orioni të qëndrojë në kursin e duhur për fluturimin pranë Hënës.
Në ditën e pestë të fluturimit, Orioni do të hyjë në sferën e ndikimit të Hënës, ose në pikën në hapësirë ku tërheqja gravitacionale e Hënës është më e fortë se ajo e Tokës.
Moduli i shërbimit i Orionit, i cili përfshin motorët përgjegjës për ndezjet që e kanë mbajtur kapsulën në trajektoren e duhur, do të ndahet nga Orioni për të zbuluar mburojën termike, e cila është projektuar për të mbrojtur astronautët gjatë rihyrjes në atmosferën e Tokës.
Pasi të zbutet nxehtësia ekstreme e rihyrjes, parashutat do të hapen për të filluar ngadalësimin e zbritjes së Orionit, të ndjekura nga parashutat pilot që janë përgjegjëse për hapjen e tre parashutave kryesore të kapsulës, të cilat e ulin më tej shpejtësinë përpara se kapsula të ulet në oqean pranë bregdetit të Kalifornisë.









