Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka drejtuar akuza të ashpra ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me krizën e furnizimit me materiale për hemodializë në spitalet rajonale dhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Sipas saj, pacientët që varen nga procesi jetik i hemodializës po përballen me mungesa serioze të materialeve, duke u lënë “nën mëshirën e fatit”.
“Edhe hemodializën e kanë lënë pa material – kategorinë pothuajse më të ndjeshme të shoqërisë e kanë lënë nën mëshirën e fatit”, shkroi Bajrami në Facebook.
Ajo ka akuzuar Kurtin për keqmenaxhim dhe vendime të dyshimta në fushën e furnizimeve publike, duke përmendur edhe tenderin sekret të rezervave shtetërore, për të cilin pretendon se është zhvilluar përmes negociatave jashtë procedurave zyrtare.
“Kurti që ka marrë vendim për tender sekret të rezervave shtetërore, e që i ka zhvilluar negociatat në restorantin ‘Bukë e Zemër’ të Ridvan Muharremit, është i njëjti që ka lejuar vartësit e tij të lidhin mbi 2400 kontrata njëburimore në vlerë prej 270 milionë eurosh”, ka shtuar ajo.
Bajrami ka ngritur edhe çështjen e mënyrës së blerjes së energjisë së importuar gjatë viteve të fundit, duke pretenduar se shumica e transaksioneve janë bërë “jo në bursë, as përmes ankandeve, por direkt nga kompania NOA”.
“Kjo kompani, që prej javësh raportohet se ka lënë SHSKUK-në dhe qendrat e tjera pa materiale të domosdoshme për procesin e hemodializës, është shembulli më i qartë i dështimit të kësaj qeverie.
Ajo ka theksuar se largimi i qeverisë aktuale është bërë “urgjencë qytetare”.
“Largimi i tyre nga keqqeverisja është urgjencë qytetare – sa më parë, aq më mirë”, potencoi deputetja e LDK-së.









