Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, ka dalur në “Marshin për Liri”, por edhe aty ka akuzuar ata që e kanë votuar Gjykatën Speciale, duke anashkaluar arsyen kryesore se pse është ftuar ky marsh.

“Vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale ka qenë i gabueshëm, i dëmshëm dhe i padrejtë. Ajo që është e rëndësishme aktualisht është që vendimi të jetë lirues për katër ish-krerët e UÇK-së. Natyrisht duhet t’ia kujtojmë njëri-tjetrit qëndrimet për këtë çështje”, tha Rrustemi.

Ai u pyet edhe për mungesën e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në marsh, ku tha se “nuk e di, jemi deputetë, aktivistë, anëtarë, kjo është përtej partive politike”.

“Marshi për Liri”, po mbahet katër ditë para 16 shtatorit, ditës kur Gjykata Speciale do të shpallë aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i 2020-së.

Gjykata Speciale i akuzon ata për krime të pretenduara lufte. Prokuroria e Speciales ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin nga të akuzuarit.

Nga ana tjetër, krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.