Ushtruesja e detyrës së Presidentes së vendit, Albulena Haxhiu, pas dekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnulla Gashi, tash edhe po e mbron.
Ajo para mediave tha se janë “qesharake” pretendimet që ai është i lidhur me Vetëvendosjen.
Madje, e lartësoi profesionalisht, ndonëse ajo vetë në Polici e kishte denoncuar si prokuror që i shkon në zyrë për takim e që të “merren vesh disi”.
“Më vjen shumë keq, por Kryeprokurori, Zejnulla Gashi, nuk ka ardhur nga rruga që të bëhet Kryeprokuror. Ai ka qenë Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore. Prandaj, këto deklarata që është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, për besë, janë qesharake”, tha Haxhiu.
Haxhiu e rikujtoi edhe një herë se çfarë i tha në kontaktin e fundit publik që e patën së bashku, në ditën e dekretimit.
“Unë z. Gashit i uroj punë të mbarë në punën e tij. Është shumë e rëndësishme ajo se çfarë i kam thënë në takim, në ditën kur e kam emëruar, që mandatin e tij, përgjegjësinë e tij, ta ushtrojë me përgjegjësinë më të lartë institucionale”, deklaroi ajo.
Kujtojmë që në vitin 2024, sa ishte Haxhiu ministre e Drejtësisë, kishte denoncuar në Polici se Gashi ishte futur në zyrën e ministres pa paralajmërim dhe se ia kishte arsyetuar një rast hetimi ku ishte përfshirë një i afërt i burrit të Haxhiut.









