Bashkimi Evropian nuk do të dërgojë vëzhgues për monitorimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, përkundër kërkesës së ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për një angazhim të tillë nga evropianët.

Në listën e publikuar nga Komisioni Zgjedhor i Kosovës për subjektet e akredituara për monitorim të zgjedhjeve të 7 qershorit nuk figuron ndonjë mision i angazhuar nga Brukseli zyrtar.

U.D Presidentja Haxhiu kishte nisur një kërkesë zyrtare drejt institucioneve të Bashkimit Evropian për angazhimin e vëzhguesve, por kërkesa nuk është trajtuar fare nga organet relevante në BE.

Kjo është hera e parë që nga viti 2014 që Bashkimi Evropian zgjedh të mos dërgojë një grup vëzhgues në zgjedhje parlamentare në Kosovë.

Herë të tjera, BE-ja niste misione monitorimi, të cilat më pas nxirrnin raporte me vlerësime rreth organizimit dhe mbarëvajtjes së përgjithshme të proceseve zgjedhore në Kosovë.

Në letrën e saj dërguar kryetares së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, Haxhiu nënvizonte rëndësinë një misioni evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve.

“Prania e Misionit Vëzhgues të BE-së do të kontribuonte në transparencën, kredibilitetin dhe integritetin e procesit zgjedhor, në përputhje me përkushtimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës për standarde demokratike dhe zgjedhje të lira”, thuhej në letrën presidenciale.

Letra e Haxhiut është injoruar krejtësisht nga Bashkimi Evropian pa ndonjë shpjegim zyrtar.

Lista e publikuar nga Komision Qendror i Zgjedhjeve që përmban subjektet e akredituara për monitorimin e zgjedhjeve përfshin katër misione ndërkombëtare, por jo “EU Election Expert Mission”, që është emri me të cilin rëndom regjistrohej misioni evropian.

BE-ja do të monitorojë zgjedhjet vetëm nëpërmjet 44 vëzhguesve të misionit të saj në Kosovë, i emërtuar “EU in Kosovo”, mision ky që në zgjedhjet e kaluara operonte paralelisht me “EU Election Expert Mission”.

Në zgjedhjet e fundit të 28 dhjetorit ishte vënë re ulja e numrit të vëzhguesve evropianë, që nga 104 në zgjedhjet e 9 shkurtit kishte rënë në 7 sosh.