Kujtim Shala nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, ndonëse duhej që fillimisht të zgjidhej nënkryetari nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, duke qenë se është grupi i dytë parlamentar më i madh në Kuvend.

Shala mori 75 vota për, një kundër dhe katër abstenime.

PDK nuk është duke marrë fare pjesë në seancën e së dielës, pasi që në seancën e së premtes, VV refuzoi që ta votojë Vlora Çitakun. VV i kërkoi PDK-së që ta ndërrojë kandidatin.

Por, një ditë më pas, të shtunën, VV tha se do ta votojnë Çitakun. Mirëpo, PDK refuzoi që të marrë pjesë në këtë seancë. Ata thanë se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese në lidhje me tejkalimet e afateve kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.

Po ashtu, ata njoftuan se e kanë tërhequr përkohësisht kandidaturën e Çitakut deri në një vendim të Kushtetueses.