Gazetari i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, Blerim Haxhiaj, të hënën e 2 nëntorit i shkoi në konak Kryekuvendares, Albulena Haxhiu, për intervistë në emisionin RTK Prime.

Kjo intervistë ndodh krejt pak ditë pasi i biri i gazetarit Haxhiaj, Glauku, përfitoi një projekt mijëraeurosh nga Ministria e Kulturës.

Më 23 tetor të këtij viti, VOX Kosova raportoi se Organizata Joqeveritare “IZI – Iniciativa për Zgjidhje Inovative” ishte e renditur në listën e fitueseve të projekteve në një thirrje publike për projekt-propozimet në fushën e artit dhe kulturës e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. IZI e Haxhiajt përfitoi 5 mijë euro.

Gjatë intervistës së 2 nëntorit, e para e Kuvendit foli për protestat pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke pyetur “nëse sot do ta kemi një dorëheqje të ministrit… a do të ndalet dhuna, a do të ndalen vrasjet?”

Pyetja sugjestive e Haxhiut nuk u kontestua nga Haxhiaj, ndonëse VOX Kosova, vetëm pak orë para intervistës, gjeti se Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e kishte lënë të patrajtuar një raport të Avokatit të Popullit për mangësitë në Stacionin Policor të Pejës.

Në raportin e qershorit të këtij viti hijezohej dhe mungesa e veturave në këtë stacion, që përtej raportit u pa në vonesën 1-orëshe të Policisë për t’i shkuar në ndihmë Arlinda Zekajt.

Jo vetëm kaq. Gjatë gjithë intervistës, gazetari Haxhiaj e la Haxhiun të thoshte çfarë të donte dhe të fajësonte kë të donte, pa i kërkuar asnjë llogari për përgjegjësinë e Qeverisë për rastin e Arlinda Zekajt e çfarëdo teme tjetër.

Në shtator të 2025-s VOX-i raportonte se si Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sa udhëhiqej nga Hajrulla Çeku, ishte kthyer në njëfarë bankomati për çiftin Blerim Haxhiaj dhe Elmaze Nura.

Gazetari i Radio Televizionit të Kosovës dhe regjisorja e profesoresha e Universitetit të Prishtinës kishin përfituar plot 230 mijë euro projekte për 4 vjet.

Përveç çiftit Haxhiaj, përfitues nga thirrjet e Ministrisë së Kulturës ka qenë edhe djali i tyre. Me organizatën IZI, Glauku kishte përfituar para edhe vitin e kaluar. Plot 11 mijë euro.

Blerim Haxhiaj zuri syrin e opinionit publik, kur si gazetar i televizionit publik e intervistonte Kryeministrin Albin Kurti me pyetje ledhatuese.