Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, janë takuar me nënsekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Operacionet e Paqes, Jean-Pierre Lacroix.
Njoftimi për takim është bërë nga UNMIK-u, misioni i OKB-së në Kosovë. Aty thuhet se Lacroixi ka theksuar Kurtit dhe Konjufcës “përkushtimin e vazhdueshëm të UNMIK për forcimin e sundimit të ligjit”, misionit ndaj të cilin Kurti si opozitar kishte qenë tejet i ashpër në kundërshtimet e tij, duke e quajtur edhe si “kolonizator”.
“Lacroix rikonfirmoi mbështetjen për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të UNMIK për forcimin e sundimit të ligjit, promovimin e të drejtave të njeriut dhe mbështetjen e ndërtimit të besimit ndërmjet komuniteteve”, thuhet në njoftim.
Gjatë diskutimeve, sipas njoftimit, “u vlerësuan përpjekjet e vazhdueshme dhe përparimi i arritur nga Kosova, duke u theksuar njëkohësisht rëndësia e vazhdimit të dialogut dhe bashkëpunimit”.
Kjo është vizita e dytë e Lacroix në Kosovë brenda tri vjetëve. Në Prishtinë, ai është takuar edhe me përfaqësues të komunitetit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare.
Gjatë kohës sa ishte në opozitë, Kurti dhe Vetëvendosja kishin qenë kundërshtues të ashpër të UNMIK-ut. Shpesh herë kishin organizuar aksione të dhunshme kundër tyre. Ia kishin rrotulluar xhipat. Kishin kërkuar që UNMIK të largohet nga Kosova.
“Në Kosovë sundon regjimi anti-demokratik i UNMIK-ut që njëkohësisht paraqet edhe një administratë kolonialiste”, thoshte Kurti.
Madje, Kurti kishte thënë se UNMIK-u duhet të përgjigjet për vrasjen e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, gjatë protestës së vitit 2007.









