Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i përballur me dukurinë e punësimeve mbi bazë partiake dhe familjare nën Qeverinë e tij, ka thënë në Kuvend se “askush nga familja e tij nuk është avancuar gjatë kohës që ky ka pasur pushtetin”. Por një gjë e tillë ka ndodhur. Vëllau i tij, Taulant Kurti, i punësuar në KEK, ishte avancuar në zyrën që merret me shitblerjen e rrymës.

“Kur kam thënë që familja është për dasma e ahengje, kam thënë që veç në dasma e ahengje dikush të thërret sepse të ka familjar e mik. Po kriteri kryesor është afërsia familjare. Ndërkaq në punë e punësim kurrsesi nuk do të duhej dhe nuk është më kriter qysh ka qenë. Prandaj unë jam ballëhapur para juve. Unë neser i mbushi gjashtë vjet që jam kryeministër. A e dini çfarë. As dy vëllezërit e mi dhe as dy prindërit e mi nuk kanë ardhur kurrë në ndërtesën e Qeverisë. Ma gjeni një Kurti që u avancu ndokund. Absolutisht që nuk mund ta gjeni asnjë që për shkak të lidhjeve me mu përparoi diku”, tha Kurti në Kuvendin e Kosovës.
Vëllau i Kryeministrit, Taulant Kurti, kishte kaluar në Drejtorinë e Operimeve në Korporatën Energjetike të Kosovës, pas disa pozitave që kishte mbajtur në këtë Ndërmarrje Publike.
Kjo është drejtori që merret me shitjen por edhe blerjen e rrymës nga Korporata Energjetike e Kosovës.
Vetë KEK-u, e kishte konfirmuar se në prill të vitit 2020, kohë kur VV kishte ardhur në pushtet, Taulant Kurti kishte kaluar në Drejtorinë e Operimeve.
“Nga viti 2007 deri në vitin 2013, ai ka punuar në Departamentin për Trajnimin Profesional të Personelit. Më pas, nga viti 2013 deri në vitin 2020, ka ushtruar detyrën e Specialistit Financiar për Projekte, ndërsa që nga data 01.04.2020 është në poziten aktuale si Specialist për Çështje Ekonomike në kuadër të Drejtorisë së Operimeve”, thoshte KEK në njoftim.
Në lidhje me punësimet partiake dhe familjare, VOX Kosova ka raportuar në vazhdimësi për konkurset e kurdisura në Korporatën Energjetike të Kosovës.
VOX Kosova ka publikuar edhe një audio-incizim të Kryetarit të Obiliqit, Halil Thaçi, në të cilën ky i fundit rrëfen se si në vitin 2021, në Korporatë, në kohë balotazhi ishte hapur konkurs për pranimin e 150 punëtorëve të rinj, me ndikimin e vetë Kryeministrit.









