Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se do të takohet të shtunën pasdite me Komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas, për çështjen e hapjes së urës mbi lumin Ibër, e cila lidh Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut.
Kurti deklaroi se janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in sa i përket marrjes së plotë në kontroll të urës së Ibrit nga Policia e Kosovës.
“Sa i përket internerarit për për hapjen e plotë të urës, përkatësisht marrjen nën kontroll tërësisht nga ana e Policisë së Kosovës, ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in. Dhe unë sot pasdite kam edhe një takim në Kryeministri me Gjeneralin e KFOR-it, përkatësisht Komandantin Ozkan Ulutas. Pra, jemi në komunikim të përditshëm, qoftë Kryeministria, qoftë Ministria e Brendshme në mënyrë që gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë dhe paqësore”, tha Kurti në një konferencë për media.
Kryeministri në detyrë deklaroi se moshapja e saj, pas ndërtimit të urave të reja, është e pakuptimtë.
“Pas ndërtimit të urave të reja, është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur dhe fakti që qytetarët kanë qarkulluar lirshëm nëpër këto urat e reja dhe nuk ka shtim as të incidenteve, as tensioneve, tregon që qarkullimi i njerëzve dhe mallrave, liria gjithnjë e më e madhe e lëvizjes është e dobishme jo vetëm për ekonominë, por edhe paqen dhe sigurinë”, shtoi.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, njoftoi më 10 gusht se ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme në urën mbi lumin Ibër. Kjo, sipas KFOR-it, po bëhet pas përmirësimit të situatës së sigurisë.
Që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitit 1999, ura mbi lumin Ibër është ruajtur vazhdimisht nga KFOR-i.
Ura ka qenë e hapur vetëm për këmbësorë, por jo edhe për makina. Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti kishte paralajmëruar hapjen e saj për qarkullimin e automjeteve në verën e vitit 2024, por që nuk kishte ndodhur. Madje, kjo nismë, ishte kundërshtuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare atë kohë.









