“Koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota ndërmjet komunave të prekura dhe institucioneve qendrore të Kosovës”, ka thënë Komisioni Evropian se pret për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

Anta Hipper, Zëdhënësja e KE-së, ka deklaruar të martën se qëndrimi i BE-së sa i përket urës mbi lumin Ibër është i qartë. Ajo ka kërkuar që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve.

“Ajo që kërkojmë, gjithashtu, është që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt”, tha Hipper në një konferencë për media, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Ajo ka rikujtuar se aktualisht ura është e hapur për këmbësorë, por jo ende për qarkullimin e automjeteve.

“Ne e kemi bërë vlerësimin tonë, janë ndërmarrë hapa në këtë drejtim. Dhe qëndrimi ynë mbetet se ende presim koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota, të cilat duhet të përmirësohen”, shtoi ajo.

Para disa ditësh, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se ka nisur “tranzicionin gradual” të pranisë së trupave të tij të përhershëm mbi urë.

KFOR kishte thënë se ky hap është duke u ndërmarrë në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.

“Misioni KFOR, i udhëhequr nga NATO-ja, ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga ura kryesore në Mitrovicë. Në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, kjo është pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it”, thoshte KFOR.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999, ura mbi lumin Ibër është ruajtur vazhdimisht nga KFOR-i.

Ajo ka qenë e hapur vetëm për këmbësorë, por jo edhe për makina. Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti kishte paralajmëruar hapjen e saj për qarkullimin e automjeteve në verën e vitit 2024, por që nuk kishte ndodhur në atë kohë.