Jonas Westerlund, ambasador i Suedisë në Kosovë, ka deklaruar se Kosova para dy dekadash ishte përpara Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian, por sot Shqipëria ka avancuar dukshëm më shumë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në një intervistë për Info Magazine në Klan Kosova, ai tha se progresi i Shqipërisë në negociatat me BE-në duhet të shërbejë si sinjal për Kosovën.

“E pashë sot që presidenti i Komisionit Evropian, Antonio Costa, kishte një fjalim shumë të mirë për qytetarët shqiptarë, duke i mirëpritur ata në të ardhmen në Bashkimin Evropian. Ata po përparojnë kaq mirë në negociatat me Bashkimin Evropian. Më trishton ajo që Kosova para dy dekadash ishte para Shqipërisë, për disa arsye tani Shqipëria është përpara Kosovës dhe Shqipëria mundet shumë mirë e shumë shpejt të bëhet anëtare e BE-së”, u shpreh Westerlund.

Ai shtoi se Kosova duhet ta ndjekë Shqipërinë sa më shpejt në këtë rrugë dhe se për këtë nevojitet unitet politik në vend.

“Shpresoj që Kosova do ta ndjek Shqipërinë sa më shpejt që është e mundur dhe kjo do të thotë që juve ju duhet unitet në vend po ashtu”, deklaroi ambasadori suedez.

Duke folur me rastin e 9 Majit – Ditës së Evropës, Westerlund tha se synimi i Bashkimit Evropian është një Evropë më e fortë dhe më e bashkuar.

“Kjo do të thotë që ne duam t’i kemi në të ardhmen Ukrainën dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor pjesë të Bashkimit Evropian”, tha ai.

Ambasadori suedez paralajmëroi gjithashtu se ngërçi politik në Kosovë mund të ketë pasoja në rrugën e vendit drejt integrimit evropian.

“Por tani janë bërë 16 muaj dhe ju duhet të miratoni ligje të caktuara në Kuvend që të ecni përpara: pra, nëse doni të keni qasje në Planin e Rritjes – duhet të miratohen një numër i caktuar i ligjeve në Parlament. Kështu që kjo situatë në afatgjatë fatkeqësisht do ta pengojë integrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian”, deklaroi Westerlund.