Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se rezultati që ka marrë partia që ai drejton në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit – të cilat i quajti të pabarabarta – nuk është në përputhje me pritshmëritë e tyre, derisa ka paralajmëruar se mund të tërhiqet nga pozita e Kryetarit dhe se do ketë garë të hapur për të parin e partisë.
“Neve si PDK na presin dy procese të rëndësishme. Ekziston tashmë një vendim i Këshillit Drejtues që PDK-ja shkon në zgjedhje të brendshme këtë vit. Dhe ky proces do të vazhdojë dhe do të përfundojë në mënyrë serioze dhe do të mbyllet ky cikël zgjedhor i brendshëm”, tha Hamza në konferencën e parë për media pas zgjedhjeve.
“Unë si Kryetar i PDK-së jam zgjedh nga Kuvendi para disa muajsh, sigurisht që jam në mandat të plotë për 4 vjet, por megjithatë në këtë proces zgjedhor gara do të jetë e hapur për të gjitha nivelet duke përfshi prej nëndegëve, degëve, për Kuvendin, për Këshillin Drejtues dhe për Kryetarin, edhe posti i Kryetarit do të jetë një garë e hapur dhe do të garojnë ata që mendojnë që duhet me qenë pjesë e garës për Kryetar të PDK-së”, shtoi.
Procesi i dytë, i cili, sipas tij, është më i rëndësishëm, ka të bëjë me vendimin e trupit gjykues në Gjykatën Speciale për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Presim që do të jetë një vendim lirues, përndryshe do të jetë vështirë me i thënë drejtësi kësaj”.
“Kthimi i tyre në familjet e tyre në Kosovë, por edhe për PDK-në do të jetë një ndryshim shumë i madh. Unë nuk po paragjykoj nëse ata do të jenë pjesë e politikës apo jo, është në të drejtën e tyre, mirëpo presim që ky vendim të jetë i drejtë. E vendimi i drejtë do të thotë lirim për liderët tonë”.
Në zgjedhjet e së dielës PDK-ja doli parti e tretë, me 21.12 për qind. Por, Hamza thekson se kanë pritur më shumë dhe “kemi mundur më shumë”.
Zgjedhjet konsideron që kanë qenë të lira, mirëpo thekson se “nuk kanë qenë të drejta dhe kanë qenë të pabarabarta”. “Kanë qenë të pabarabarta sepse është përdorë paraja publike e cila sigurisht ka ndiku edhe në rezultat”.
“Përdorimi i parasë publike e ka bërë efektin e vet. Gjithashtu edhe resurset shtetërore të përdorura në proces zgjedhor”.
Në këtë situatë, lideri i PDK-së theksoi se është më rëndësi “që të kemi konstituim të Kuvendit sa më shpejtë, formim të Qeverisë, zgjedhje të Presidentit dhe mos të ketë vakum institucional për shkak se interesi i vendit është përtej interesit dhe mbi interesin e secilit subjekt politik”.
“Për PDK-në është mesazh i qartë. Abstenimi i votuesve është mesazh për të gjithë ne. Njerëzit kanë nevojë për stabilitet politik, kanë nevojë për stabilitet institucional, kanë nevojë që Qeveria e vendit të tyre të merret me problemet e tyre…”, potencoi ai ndër të tjera.
I pyetur nëse është i gatshëm që të takohet me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, ai theksoi se nuk ka pasur asnjëherë vija të kuqe për askënd.
“Asnjëherë gjatë rrugëtimit tim politik nuk kam vendosur vija të kuqe, nuk kam vendosur as në këto zgjedhje dhe besoj që nuk është e mirë që të kemi vija të kuqe, jemi gjithmonë të hapur për biseda, e kam dhënë preferencën time se më e shëndetshme për vendin është krijimi i qeverisë prej partive që kemi qenë në opozitë, por kjo varet prej numrave, por megjithatë nuk kam qenë përjashtues”.









