Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Hamza në një konferencë për media, pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së.
“Çdo përgjegjësi e ka kohën e vet. Dhe çdo kryetar duhet ta kuptojë se kur është koha të marr përgjegjësi, por edhe kur është koha të hap rrugë për një fazë të re. Për mua tashmë kjo kohë veç ka ardhur”, tha Hamza.
“Sapo e përfundova mbledhjen e Kryesisë dhe sot para jush dhe gjithë qytetarëve dua të bëj publik vendimin tim: sot kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e Kryetarit të PDK-së”, shtoi ai.
Ky vendim, Hamza theksoi se është vendim i menduar, “i marrë me përgjgjësi dhe me bindje se partia jonë do të hy në një proces të ri ku anëtarësia do të ketë fjalën e saj dhe ku të rinjve do t’iu krijohet hapësira e merituar për të kontribuuar”.
“Nuk po largohem nga PDK-ja, po largohem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi dhe vlerat tona politike. Nga sot, e deri të kem jetë do të jem votues besnik i PDK-së, anëtar i thjesht i kësaj partie, familje të madhe, i gatshëm të kontribuojë për të pa marrë parasysh pozitat”, potencoi ai ndër të tjera.
Hamza ishte zgjedhur Kryetar i PDK-së më 17 nëntor 2025.
Në këtë pozitë, ai kishte pasuar Memli Krasniqin.
Hamza ka një karrierë të gjatë politike. Ai ka qenë deputet, ministër, Kryetar Komune dhe Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës.
Ka qenë Ministër i Financave në dy mandate, në Qeverinë e dytë të Hashim Thaçit (2011-2014) dhe në atë të Ramush Haradinajt (2017-2019).
Hamza ka qenë edhe Kryetar i Komunës së Mitrovicës (2021-2025), ndërsa ka garuar edhe si kandidat i PDK-së për Kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, 28 dhjetorit 2025 dhe ato të 7 qershorit 2026.
Ai ka qenë Kryetari i katërt i PDK-së. Para tij, PDK-ja ka pasur tre kryetarë dhe një ushtrues detyre.
Kjo parti, që nga themelimi e deri në vitin 2016 ishte udhëhequr nga Hashim Thaçi. Ai kishte dhënë dorëheqje pasi që ishte zgjedhur President i Kosovës.
Thaçin e kishte pasuar Kadri Veseli, i cili kishte drejtuar PDK-në deri në nëntor të vitit 2020. Ai kishte dhënë dorëheqje për shkak se i ishte ngritur aktakuzë për krime të pretenduara lufte nga Gjykata Speciale.
Si ushtrues detyre i Kryetarit të PDK-së ishte caktuar Enver Hoxhaj. Ai kishte qëndruar në këtë pozitë për disa muaj.
Më pas, si Kryetar, më 3 korrik 2021, ishte zgjedhur Memli Krasniqi. Ai ishte rikonfirmuar si Kryetar i PDK-së më 21 qershor të vitit 2025, në Konventën e Përgjithshme të PDK-së, të njëmbëdhjetën me radhë.









