“Shkarkimi i Kryeprokurorit të Speciales është një ndër veprimet më të gabuara të këtij regjimi!”, ka thënë Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini.
Këto komente, Gjini i bëri pasi që Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), e shkarkoi Blerim Isufajn nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.
Në këtë drejtim, Gjini vlerëson se Kosova “bëri edhe një hap të madh drejt totalitarizmit”.
“Tashmë, për herë të parë që prej kohës së komunizmit, Kosova qeveriset nga një kastë me tipare të pastra të një regjimi totalitar”, konsideron ai.
Pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gjini tha se nga slogani “hajnat në burg” përfundoi te “hajnat nën mburojën e pushtetit”.
“Kosova ka mjaftueshëm njerëz të ditur dhe patriotë. Populli i Kosovës do ta rikthejë qeverisjen demokratike e të përgjegjshme dhe do ta rivendosë sundimin e ligjit”.
Por, kryetari i Gjakovës vlerëson se kjo duhet të ndodhë shpejt. “Koston e kësaj mënyre të qeverisjes për një kohë do ta paguajnë qytetarët tanë”.
“Por, kjo kastë do të përfundojë keq, pashmangshëm”, shprehet i bindur Gjini.
Blerim Isufaj u shkarkua nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale në mbledhjen e jashtëzakonshme të së premtes të Këshillit Prokurorial të Kosovës, për shkak të gjoja efikasitetit të dobët të Prokurorisë që ai e udhëhiqte.
Në vend të Isufajt, si ushtrues detyre u caktua prokurori Dren Paca.
Që nga koha kur Albin Kurti e ka marrë pushtetin, ai dhe vartësit e tij vazhdimisht e kanë sulmuar Isufajn.









