Arben Visoqi ka njoftuar se është larguar nga Policia e Kosovës pas 26 vitesh shërbim, ndërsa ka ngritur akuza të rënda ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke pretenduar se ndaj tij dhe familjes së tij është zhvilluar një “përndjekje politike”.

Në një postim të gjatë në Facebook, Visoqi ka thënë se vendimi për largimin e tij erdhi pas një beteje disamujore ligjore dhe disiplinore brenda Policisë së Kosovës.

Sipas tij, procedura kishte të bënte me disa postime të tij private në Facebook, të cilat, sipas vlerësimit të institucionit, i kanë dëmtuar imazhin Policisë.

“Pas 26 vitesh pune me përkushtim maksimal dhe dinjitet të lartë njerëzor dhe ligjor, si punonjës dhe si epror në Policinë e Kosovës, sot mu dha vendimi për largim nga puna”, ka shkruar Visoqi.

Ai pretendon se rasti disiplinor ndaj tij është iniciuar nga Vetëvendosje përmes një ankese anonime, ndërsa thotë se persona brenda Policisë e kanë shfrytëzuar rastin për t’u hakmarrë ndaj tij për shkak të raporteve sinjalizuese që kishte bërë.

“Rasti disiplinor më është inicuar nga Vetëvendosje me ankesë anonime”, ka deklaruar ai.

Visoqi ka pretenduar gjithashtu se kishte marrë paralajmërime nga burime brenda Vetëvendosjes se po përgatitej një plan ndaj tij dhe familjes së tij.

“Burime nga Vetëvendosje më kanë çu fjalë dhe paralajmëruar për planin që po përgaditej nga zyra e tyre kundër meje dhe familjes”, ka shkruar ai.

Ai e ka lidhur rastin edhe me një vendim që, sipas tij, ishte marrë të njëjtën ditë ndaj bashkëshortes së tij në Postën e Kosovës.

“Po atë ditë më është inicuar procedura disiplinore ndaj meje”, ka pretenduar Visoqi.

Më tej, ai e ka ndërlidhur situatën me lidhjen e tij familjare me ish-presidentin Hashim Thaçi, duke pretenduar se familjarët e tij janë duke u përndjekur politikisht.

“Dhe, as unë e as bashkëshortja ime nuk jemi të vetmit familjar të Hashim Thaqit që përndjeket politikisht dhe familjarisht nga kjo parti dhe lideri frikacak i saj”, ka shkruar ai.

Visoqi ka theksuar edhe të kaluarën e tij familjare, duke thënë se është vëllai i dëshmorit Bujar Visoqi dhe se ka luftuar për Kosovën.

“Jam krenar me familjen time Visoqi! Jam vellau i deshmorit legjendar Bujar Visoqi! Krenar qe kam luftu per kete vend!”, ka shkruar ai.

Në fund, Visoqi ka paralajmëruar se vendimin për largimin nga Policia do ta kundërshtojë në gjykatë dhe në instanca të tjera, duke insistuar se nuk ka kryer shkelje ligjore apo morale.

“Tani me mbetet ta mbroj te drejten time ne Gjykate dhe ne instanca tjera, i bindur ne te drejten time ligjore, por…edhe morale”, ka deklaruar ai.

Akuzat e Visoqit ndaj Vetëvendosjes, drejtuesve të Policisë së Kosovës dhe personave të tjerë të përmendur në postimin e tij janë pretendime të tij.