Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, i është drejtuar zyrtarisht Presidentes së vendit, Vjosa Osmani, me një kërkesë për shkarkimin e Vehbi Miftarit nga pozita e Shefit të Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Vatikan.

Në letrën e datës 26 nëntor, Ahmeti argumenton se Miftari ka kryer “veprime të paautorizuara”, ka shfaqur “sjellje të papranueshme” dhe ka bërë “shkelje të etikës profesionale” – veprime që, sipas MPJD-së, rrezikojnë të cenojnë integritetin e shërbimit të jashtëm të Kosovës.

Por prapaskena e kësaj përplasjeje burokratike është edhe më interesante. Kërkesa e Ahmetit vjen vetëm pak ditë pasi Miftari publikisht ngriti shqetësimin se Zyra e Kryeministrit kishte vepruar jashtë çdo koordinimi diplomatik gjatë vizitës së Albin Kurtit në Bazilikën Santa Maria in Aracoeli në Vatikan.

Në atë aktivitet, ku performuan Kori i Operës dhe Filharmonia e Kosovës, Miftari thotë se misioni që ai drejton nuk ishte ftuar, as informuar, e as përfshirë në organizim.

“Kryeministër! Ishit në Vatikan? Po Misioni i Kosovës në Vatikan ishte aty, siç kërkon praktika diplomatike e sjellja shtetërore? E kishit vënë në dijeni? Kush u mor me organizimin nëse jo misioni juaj në shtetin e Vatikanit?”, shkroi Miftari në Facebook më 24 nëntor, duke e sfiduar hapur protokollin qeveritar.

Miftari nuk është figurë e panjohur në skenën politike kosovare. Për tre vite ai ishte këshilltar politik i Presidentes Osmani.

Pas dorëheqjes në janar 2024, vetëm pak javë më vonë ai u caktua në një nga postet më delikate të diplomacisë kosovare, drejtimin e misionit në Vatikan, pozitë që kërkon jo vetëm pëlqimin e Selisë së Shenjtë, por edhe bashkërendim të plotë ndërmjet Presidentes dhe Kryeministrit.