Hakerë që dyshohet të jenë nga Koreja e Veriut kanë komprometuar një paketë softuerike që përdoret nga mijëra kompani amerikane, në një sulm të madh ndaj zinxhirit të furnizimit, nga i cili mund të duhen muaj për t’u rikuperuar, raporton mediumi amerikan CNN.
Ekspertët që po i përgjigjen sulmit kanë deklaruar se presin një fushatë afatgjatë për vjedhjen e kriptovalutave me qëllim financimin e regjimit të Koresë së Veriut, i cili shpesh i përdor këto para të vjedhura për programet e tij bërthamore dhe të raketave.
Për tre orë të martën në mëngjes, hakerët e lidhur me Phenianin patën qasje në llogarinë e një zhvilluesi softuerik që menaxhon softuerin me kod të hapur të njohur si Axios.
Ata e përdorën këtë qasje për të dërguar përditësime keqdashëse te çdo organizatë që e shkarkoi softuerin gjatë asaj kohe, duke shkaktuar një reagim urgjent si nga zhvilluesi për të rimarrë kontrollin e llogarisë, ashtu edhe nga ekspertët e sigurisë kibernetike në të gjithë vendin për të vlerësuar dëmet.
Kompanitë në pothuajse çdo sektor të ekonomisë, nga shëndetësia te financat, përdorin Axios për të thjeshtuar ndërtimin dhe menaxhimin e faqeve të tyre të internetit. Disa kompani të kriptovalutave e përdorin këtë softuer, ashtu si edhe firma teknologjike që operojnë në industrinë e kriptos.
Mandiant, një kompani e inteligjencës kibernetike në pronësi të Google, tha se një grup hakerësh i dyshuar nga Koreja e Veriut është përgjegjës.
“Presim që ata të përpiqen të shfrytëzojnë kredencialet dhe qasjen në sisteme që kanë siguruar së fundmi në këtë sulm ndaj zinxhirit të furnizimit të softuerit, për të synuar dhe vjedhur kriptovaluta nga ndërmarrjet”, ka potencuar Charles Carmakal, drejtor i teknologjisë në Mandiant. “Do të duhen me gjasë muaj për të vlerësuar ndikimin e plotë të kësaj fushate.”
John Hammond, studiues sigurie në Huntress, tha se kompania e tij ka identifikuar rreth 135 pajisje të komprometuara që u përkasin rreth 12 kompanive. Por kjo është vetëm një pjesë e vogël e viktimave, numri i të cilave pritet të rritet teksa organizatat zbulojnë se janë hakuar.
Ky është vetëm sulmi i fundit i madh ndaj zinxhirit të furnizimit që i atribuohet Phenianit. Tre vjet më parë, operativë të Koresë së Veriut dyshohet se infiltruan një tjetër ofrues të njohur softuerik që përdorej nga kompani të kujdesit shëndetësor dhe zinxhirë hotelesh për thirrje zanore dhe video.
Korpusi i fuqishëm i hakerëve të Koresë së Veriut është një burim thelbësor të ardhurash për këtë vend të armatosur me armë bërthamore dhe të goditur nga sanksionet. Sipas raporteve të Kombeve të Bashkuara dhe firmave private, hakerët koreano-veriorë kanë vjedhur miliarda dollarë nga bankat dhe kompanitë e kriptovalutave në vitet e fundit.
Rreth gjysma e programit raketor të Koresë së Veriut është financuar nga këto grabitje digjitale, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë në vitin 2023.
Vitin e kaluar, hakerët koreano-veriorë vodhën 1.5 miliardë dollarë në kriptovaluta në një sulm të vetëm, që në atë kohë ishte sulmi më i madh i regjistruar në këtë sektor.
“Koreja e Veriut nuk shqetësohet për reputacionin e saj apo për faktin se mund të identifikohet përfundimisht, kështu që megjithëse këto operacione janë shumë të dukshme dhe me profil të lartë, ky është një çmim që ata janë të gatshëm ta paguajnë,” tha Ben Read, drejtor i inteligjencës strategjike të kërcënimeve në firmën e sigurisë Wiz, gjithashtu në pronësi të Google.
Hammond e përshkroi sulmin si “të sinkronizuar në mënyrë perfekte”, duke pasur parasysh përdorimin në rritje të agjentëve të inteligjencës artificiale që zhvillojnë softuer në organizata “pa asnjë rishikim apo mekanizma mbrojtës”.
“Dobësia më e madhe e gjithë zinxhirit të furnizimit të softuerit është se sot ekziston një derë e hapur, pasi shumë njerëz nuk kontrollojnë më se çfarë përfshihet në përbërësit e tij,” tha Hammond.









