Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Supreme, duke deklaruar se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë është bërë në kundërshtim me ligjin dhe në kurriz të rreth 1300 bizneseve vendore.
“Kemi thënë që nga dita e parë, e kemi thënë me dhjetëra e qindra herë, se mënyra e liberalizimit të tregut të energjisë është joligjore. Është bërë në kurriz të rreth 1300 bizneseve vendore vetëm dhe vetëm për të përfituar tregtarët e energjisë të afërt me qeverinë Kurti. Vendimi i Gjykatës Supreme i vërteton të gjitha ato që kemi thënë”, shkroi ajo në Facebook.
Bajrami iu ka bërë thirrje organeve të zbatimit të ligjit që ky vendim të zbatohet në tërësi dhe se ndërmarrjet të kthehen në shërbimin universal të furnizimit me energji elektrike, ndërsa të gjithë vendimmarrësit e këtyre vendimeve joligjore të largohen menjëherë nga institucionet dhe të japin përgjegjësi për secilin cent të shpërdoruar.
“E kam thënë se hajnia më e madhe që po ndodh është ajo që po bëhet nga mafia energjetike. Pyetja është pse spo luftohet kjo mafi nga organet qeveritare? Përgjigjen e dini të gjithë” shtoi Bajrami.
Reagimi i Bajramit ka ardhur pasi Gjykata Supreme e Kosovës i ka shfuqizuar dy nene të udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë, duke thënë se ato kanë krijuar pasiguri juridike dhe ekonomike për konsumatorët e energjisë elektrike në vend.









