Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit e ka gjobitur me 30 mijë euro Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike(KEDS) për gjashtë njehsorë me afat të skaduar të cilët janë evidentuar gjatë inspektimeve në terren. Ky veprim i Ministrisë vjen pasi ky dikaster ka paralajmëruar se KEDS do të gjobitet me 1500 deri 5000 euro për çdo njehsor me afat të skaduar.

“Ky veprim është ndërmarrë në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme të verifikimit të njehsorëve elektrikë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Komisioni Verifikues po vazhdon punën në terren në shtatë regjionet e vendit, me qëllim të identifikimit dhe adresimit të çdo parregullsie”, bën me dije Ministria.

Sipas MINTI-it, “rezultatet e deritanishme nga analizat laboratorike të kryera në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës kanë evidentuar pasaktësi në regjistrimin e orës dhe datës në njehsorët e testuar”.

Gjithashtu, Ministria thotë se i ka dorëzuar zyrtarisht kërkesë KESCO-s që t’i kompensojë konsumatorët e dëmtuar.

Hulumtimet dhe raportimet e mediave treguan se njehsorët elektrikë të KEDS-it kanë devijime kohore dhe për rrjedhojë matja e shpenzimeve të rrymës bëhet gabim.

Në mostrat e prezantuara doli se një numër i madh i njehsorëve janë prapa me kohën reale, çka nënkupton se kur konsumatorët shpenzojnë me përllogaritjen e tarifës së lirë, në fakt ata faturohen me çmime normale.