Në Gjykatën Speciale në Hagë sot do të vazhdojnë paraqitjet përfundimtare të mbrojtjes së Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit që do të vazhdojnë argumentet e tyre kundër akuzave të pretenduara të Prokurorisë Speciale.

Fjalët përfundimtare në procesin kundër krerëve të UÇK-së kanë filluar qysh nga e hëna e kësaj jave. Prokurorët e Speciales ishin të parët që prezantuan çështjen e tyre. Më pas, fjalët përfundimtare vazhduan avokatët e Ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ata të Ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Dje, avokati i Rexhep Selimit, Jeoffrey Roberts, ka sfiduar drejtpërdrejt Prokurorinë, duke ngritur pyetje lidhur me përfshirjen e Adem Jasharit në atë që ZPS e quan “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.

Ai përmendi edhe pretendimet për takime të hershme, si në vitin 1992 dhe prezantimin me Rexhep Selimin nga Sylejman Selimi në vitin 1994, duke thënë se nga këto rrethana ZPS nxjerr përfundime për lidhje relevante me NPK-në.

“Mendoj se këtë e bëjnë sepse sipas tyre edhe z. Jashari është anëtar i pretenduar i Ndërmarrjes Kriminale, edhe pse nuk ia përmendin emrin. Nuk mund të diskutosh thelbin e NPK-së dhe të pretendosh se çdo anëtar i lartë i UÇK-së ka qenë pjesë e saj”, deklaroi Roberts.

Pas fjalëve përfundimtare që pritet të përfundojnë javën e ardhshme, paneli gjykues do të ketë kohë në afat prej 90 ditësh për të nxjerrë verdiktin final.