Avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiç, ka thënë se nuk ka prova që Lidhja Demokratike e Kosovës t’i ketë thënë dikujt, qoftë SHBA-ve apo Britanisë së Madhe, se kishte refuzuar që të bëhej pjesë e Qeverisë së Përkohshme për shkak se ishte kërcënuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Fakti është se Sekretarja e Shtetit Albright dhe Kryeministri Blair po i bënin thirrje LDK-së që të merrte pjesë në PGOK, dhe ajo vazhdoi të refuzonte. Nuk ka asnjë provë që LDK-ja t’i ketë thënë kujtdo në atë kohë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, se kishte refuzuar të bashkohej për shkak të kërcënimeve të pretenduara nga UÇK-ja”, tha Misetiç.

Avokati theksoi edhe se Thaçi donte që të kishte raporte të mira me SHBA-të pas konferencës së Rambujes.

“Në të vërtetë, pranohet gjerësisht se gjatë dhe pas Rambujesë, z. Thaçi ishte një person që dëshironte të mbetej në marrëdhënie të mira, veçanërisht me Sekretaren Albright, dhe në përgjithësi me Shtetet e Bashkuara”, shtoi ai.

Misetiç potencoi se ideja që Thaçi do të dëshironte të bënte diçka tjetër përveçse që Qeveria e Përkohshme të vepronte si një qeveri kalimtare deri në momentin kur të mund të caktoheshin zgjedhje të lira dhe demokratike, “do të ishte krejtësisht e papajtueshme me ambicien e tij për të mbetur i afërt me Shtetet e Bashkuara dhe përgënjeshtrohet, në fakt, nga fakti se ai mori pjesë në zgjedhjet e mëvonshme demokratike në Kosovë dhe pranoi rezultatin kur i humbi zgjedhjet”.