Sot (e hënë, 16 shkurt), ekipi mbrojtës i ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Jakup Krasniqi do të vazhdojë me fjalën përfundimtare, të cilën e kishte nisur të premten, por që nuk e kishte përfunduar.
Mbrojtja e Krasniqit sot do të ketë 1 orë e gjysmë në dispozicion për të dhënë qëndrimet përfundimtare.
Më pas, trupi gjykues për dy orë do të parashtrojë pyetje për palët, ndërsa më vonë vazhdon Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Më 18 shkurt, në ditën e fundit të paraqitjes së qëndrimeve finale, fjalët përfundimtare do t’i thonë edhe katërshja e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Ata do t’i kenë nga 20 minuta në dispozicion.
Pas kësaj, trupi gjykues ka 90 ditë kohë të tërhiqet për vendimin përfundimtar ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Prokuroria e Speciales ka kërkuar nga 45 vjet burg për katërshen e UÇK-së. Kjo kërkesë u kundërshtua ashpër si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020. Ata akuzohen nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte.









