Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill, ka nisur dëshminë e tij në Gjykatën Speciale, si dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dëshmia e Hill-it, pritet që të zgjasë deri në ora 17:00.

Hill ka qenë i përfshirë aktivisht gjatë luftës në Kosovë në përpjekje për të arritur një marrëveshje për paqe. Ai ka marrë pjesë edhe në bisedimet në Rambuje.

Hill ka shërbyer edhe si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni, Serbi e vende të tjera dhe ka qenë edhe i dërguar special i SHBA-ve gjatë luftës në Kosovë.

Hill njihet si një prej zërave më autentikë për UÇK-në.

Para tij, në anën e mbrojtjes kanë dëshmuar James Rubin, Paul Williams, John Duncan dhe Jock Covey.

Dëshmitë e mbrojtjes – që shënojnë edhe fundin e seancave – do të mbyllen me paraqitjen e ish-komandantit të NATO-s gjatë kohës së luftës në Kosovë, Wesley Clark.