Seancat e planifikuara për këtë javë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale janë anuluar, kanë njoftuar Dhomat e Specializuara.
Sipas njoftimit, seancat pritet që të rifillojnë më 10 nëntor (e hënë).
“Siç është treguar në Kalendarin e Gjykatës, për arsye logjistike, këtë javë (3–7 nëntor 2025) nuk do të mbahen seanca në gjyqin “Thaçi e të tjerët”. Procesi pritet të rifillojë të hënën, më 10 nëntor 2025”, thuhet në njoftim.
Aktualisht në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, janë duke dëshmuar dëshmitarët e mbrojtjes.
Deri më tani kanë dëshmuar 4 dëshmitarë, të gjithë këta ndërkombëtarë. I pari që dëshmoi ishte ish-ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit gjatë kohës së luftës në Kosovë, James Rubin.
Pas tij, dëshmoi Paul Williams, këshilltar i delegacionit të Kosovës në Rambuje. I treti ishte John Duncan, ish-këshilltar i Clark-ut dhe i katërti ishte Jock Covey, zëvendëskryeadministrator i Kosovës nga viti 1999 deri më 2001.
Përveç tyre, është konfirmuar si dëshmitar i mbrojtjes edhe Wesley Clark, ish-Komandanti i Aleancës më të fuqishme ushtarake që ka njohur bota, NATO-s, gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Dëshmitarët e mbrojtjes do të dëgjohen deri nga mesi i nëntorit, eventualisht deri në fund të këtij muaji. Palët do të kenë afat deri në muajin dhjetor për të dorëzuar me shkrim fjalët përfundimtare, ndërsa në fillim të vitit të ardhshëm pritet vendimi përfundimtar i Panelit të Gjyqtarëve.
Ndryshe, që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.









