Në pranverën e vitit 1999, pamjet e rreth 900 mijë shqiptarëve të Kosovës, që po dëboheshin me dhunë nga shtëpitë e tyre prej aparatit shtetëror serb drejt Shqipërisë e Maqedonisë, tronditën ndërgjegjen e botës demokratike.
Perëndimi e quajti këtë një spastrim etnik të qëllimshëm dhe sistematik. Por, Prokuroria në Gjykatën Speciale nuk e sheh këtë si dëbim me forcë, nuk e përdor termin “spastrim etnik”, nuk e cilëson si të qëllimshëm e sistematik, e madje as nuk e fajëson Serbinë.
Në aktakuzën kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në pikën 25, ka një formulim skandaloz – që tenton ta rishkruajë historinë, të relativizojë krimet serbe, ta shfajësojë Serbinë dhe të hedhë hije dyshimi mbi ndërhyrjen e NATO-s.
Aty thuhet se, pas marsit të vitit 1999, “një numër i madh i civilëve shqiptarë të Kosovës lëvizën nga Kosova në Shqipëri…”
Paramendojeni: dëbimin me dhunë dhe të qëllimshëm, prokuroria e interpreton si një lëvizje normale e vullnetare nga një shtet në tjetrin.
A thua se po shkonin për qejf, në një shëtitje në det apo në bjeshkë!
Kjo pikë bëhet edhe më e tmerrshme kur prokuroria, për këtë dëbim, nuk e fajëson Serbinë, por, çuditërisht, NATO-n.
Paragrafi fillon duke thënë se “më 24 mars 1999 forcat e NATO-s filluan bombardimet” dhe vazhdon me fjalinë se, “si rezultat i kësaj, një numër i madh i civilëve ‘lëvizën’ drejt Shqipërisë”.
Imagjinojeni: NATO-n, që ndërhyri në Kosovë pikërisht për të ndalur spastrimin etnik dhe masakrat prokuroria e fajëson për eksodin e shqiptarëve të Kosovës.
Me këtë, prokuroria po shërbehet me narrativën që Serbia e ka përdorur vazhdimisht, duke e lidhur dëbimin e shqiptarëve me bombardimet e NATO-s.
Kjo përpjekje e Serbisë ishte rrëzuar në aktakuzat dhe dënimet ndaj krerëve shtetërorë dhe gjeneralëve serbë në Tribunalin për ish-Jugosllavinë.
Aty u konstatua se largimi i shqiptarëve të Kosovës u krye në mënyrë të organizuar, sistematike dhe me forcë nga shteti serb.
Nëse në vitin 1999, objektivi i Serbisë ishte spastrimi etnik i shqiptarëve nga Kosova, rreziku sot është përpjekja për spastrimin e të vërtetës për krimet e asaj kohe.
Formulime që relativizojnë faktet, zbehin përgjegjësinë e Serbisë dhe hedhin hije mbi ndërhyrjen humanitare ndërkombëtare nuk janë pasojë e mungesës së informacionit.
Ato paraqesin një qasje të qëllimshme, të cilën kjo prokurori në Hagë e ka ndjekur në mënyrë të përsëritur dhe sistematike.








