Jemi më 8 dhjetor 2024, në Hagë, në Dhomat e Specializuara të Gjykatës. Pak para zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë, brenda këtij objekti, Ish-presidenti Thaçi po mban fjalim, e po aludon për veprime brutale politike nga ky institucion i thirrur për drejtësi.

“E di se Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjidhshme elektorale, por unë nuk jam pjesë e garës elektorale. Unë nuk paraqes rrezik politik për askënd”, thoshte Thaçi.

Më shumë se një vit më vonë, rrethanat janë të njëjta.

Derisa Kosova është në prag procesi elektoral, paralelisht me këto zhvillime po vepron edhe Gjykata Speciale.

Trupi Gjykues, i thirrur të shpallë aktgjykimin kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e shtyu vendimin përfundimtar i cili parashihej të merrej deri më 19 maj më së largu.

Me një kërkesë Speciale, kërkoi 60 ditë shtesë. Tash afati u shty deri më 20 korrik.

Zhvillimet politike në Kosovë jo rrallë herë kanë ndikuar vendime në Hagë.

Më 31 janar të 2025-ës, një gjyqtar ia refuzonte Hashim Thaçit kërkesën për vizitë tek babai i sëmurë në Kosovë. Arsye, zgjedhjet e 09 shkurtit.

“…Aspektet tashmë sfiduese të sigurisë dhe realizueshmërisë së vizitës së kërkuar në paraburgim mund të bëhen edhe më komplekse në dritën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, të planifikuara për 9 shkurt 2025”.

Apo kjo shkresë e vitit 2021, nënshkruar nga ish-kryeprokurori famëkeq, Jack Smith. Kërkonte, që Thaçit t’i vazhdohej paraburgimi pasi ndjente rrezik nga fuqia politike e tij. Thoshte, se ish-partia e tij, PDK, ka fituar shumicën e komunave në zgjedhjet lokale.

Më 17 shkurt 2026, në Prishtinë, “Drejtësi, jo Politikë”, ishte kërkesa kryesore e dhjetëra mijëra protestuesve kundër padrejtësive në Hagë.

Dhe bëse drejtësia vazhdon t’i përkulet momentumit politik, atëherë nuk është më drejtësi — është instrument.