Një mekanizëm monitorimi për Gjykatën Speciale ishte thënë se duhej të bëhej, por kurrë nuk ndodhi. Ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e hodhën si ide – por të dy nuk ndërmorën asgjë konkrete.

Kur ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në vitin 2022 vizitoi krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, në Prishtinë foli për mundësinë e ngritjes së një mekanizmi që do ta monitoronte Gjykatën Speciale. Kjo erdhi si reagim ndaj shqetësimeve për një proces skajshmërisht të kontestuar juridikisht dhe besimit se atje po zhvillohej edhe një gjykim politik.

“Ne si institucione duhet t’i bashkërendojmë të gjitha hapat, në mënyrë që të mund të vijmë deri te një koncept se cili do të ishte një mekanizëm legjitim i kontrollit demokratik. Ka nevojë për një mekanizëm të kontrollit, ka nevojë për një mekanizëm të llogaridhënies, e ky mekanizëm i llogaridhënies nuk po shihet askund në horizont. Bashkësia ndërkombëtare nuk po e themelon këtë mekanizëm të kontrollit ndaj Gjykatës Speciale, Kosova nuk ka kurrfarë mekanizmi që e kontrollon dhe ndaj të cilit jep llogari Gjykata Speciale”, kishte thënë Konjufca.

Kritikat për devijime juridike në proces, për bashkëpunim me Serbinë në sigurimin e provave, kanë ngritur shqetësime serioze në publik. Dje u bë i hapur transkripti i seancës së 27 marsit 2025, në të cilën ish-presidenti Hashim Thaçi kishte folur për prezencën e një prokurori, John Devaney, i cili deri në vitin 2022 kishte punuar si roje në qendrën e paraburgimit ku mbahen të mbyllur krerët e UÇK-së. Thaçi madje përmendi edhe kërcënime fizike që i njëjti kishte bërë gjatë asaj kohe.

Për mekanizmin e kontrollit ishte thënë se ishte diskutuar edhe në një takim që ish-ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, kishte pasur me kryetaren e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.

Berita Abazi, që asokohe punonte si këshilltare e Haxhiut, kishte deklaruar për Albanian Post se ideja për një model monitorimi kishte lindur pas vizitave që ata kishin bërë në Hagë.

“Pas vizitave në Hagë është evidentuar mungesa e një monitorimi nëse respektohen të drejtat e personave që mbahen atje, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Dhe mbi këtë bazë është diskutuar mundësia e një mekanizmi që do të monitoronte këtë aspekt – çështje që ende mbetet vetëm në nivel diskutimesh fillestare”, kishte thënë ajo.

Por, kurrë asgjë nuk ndodhi.

Qeveria e Kosovës, përveç fondeve për mbrojtje të cilat janë të rregulluara me ligj nga qeveritë e kaluara, nuk ka bërë asnjë angazhim tjetër konkret për të ngritur në nivele më të larta ndërkombëtare shqetësimet për mënyrën se si po zhvillohet procesi.