“Jemi në rrethana të reja, i përshtatim qëndrimet”, ka thënë Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, kur është pyetur për çështjen e Presidentit, derisa ka bërë të ditur se është i gatshëm për takim me Kryeministrin Albin Kurti.

Këto komente, Hamza i bëri pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së, ku tha se zhvillimet e fundit, duke iu referuar dënimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nga Gjykata Speciale, kanë krijuar rrethana të reja, prandaj edhe partia që ai drejton mund t’i përshtat qëndrimet.

“Jemi në rrethana të reja. Jemi në gjendje të re, në gjendje që nuk ka të bëjë veç me të kaluarën. Nuk ka të bëjë vetëm me individë. Ka të bëjë me shtetin. Ka të bëjë me të ardhmen e shtetit”, tha Hamza për gazetarë.

“Dhe mbi bazën e këtyre rrethanave të reja, ne normalisht që i ndërrojmë, edhe i përshtatim qëndrimet tona për çështje që kanë të bëjnë me të ardhmen dhe perspektivën e shtetit”, shtoi ai.

Kreu i PDK-së u shpreh i gatshëm për t’u takuar me Kurtin për çështjen e Presidentit.

“Unë jam takuar [me Kurtin]. Dhe jam i gatshëm me u taku. Jam taku me kryetarët e tri partive politike, edhe me Kurtin, edhe me Lumir Abdixhikun, edhe me Ardian Gjinin. Jam në komunikim dhe është krejt normale që për tema kaq të rëndësishme edhe situata kaq të rëndësishme për vendin që të ketë takime.

I pyetur nëse do ta mbështesin një kandidat të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Hamza deklaroi se “nuk mundem të flas në mënyrë hipotetike para se me ardh këto tema”.

Sipas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendit ka kohë deri që më 6 tetor ta zgjedh Presidentin e ri.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kishin arritur një marrëveshje për këtë çështje.

Ata u pajtuan për emrin e Bekim Sejdiut. Por, Sejdiu nuk u mbështet nga gjashtë deputetë të LDK-së. Në këtë drejtim, Sejdiu u tërhoq nga kandidatura.

Për shkak të moszgjedhjes së Presidentit, Kosova kishte shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare më 7 qershor.

Që nga prilli i këtij viti, kur Vjosa Osmanit i përfundoi mandati, Kosova është me Ushtruese të Detyrës së Presidentit. Këtë pozitë, sipas Kushtetueses, është duke e ushtruar Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.