Kuvendi dhe partitë parlamentare kanë përcaktuar përfaqësuesit e tyre në Grupin Punues për hartimin dhe harmonizimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën, janë bërë publik emrat e deputetëve që partitë politike parlamentare kanë deleguar në këtë grup.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se parlamenti do të përfaqësohet në këtë grup nga nënkryetarja Vlora Çitaku, e cila vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Lëvizja Vetëvendosje si partia më e madhe parlamentare do të përfaqësohet nga deputeti Adnan Rrustemi. PDK-ja nga Uran Ismaili, Lidhja Demokratike e Kosovës nga Kujtim Shala dhe Aleanca nga Bekë Berisha.

Deri më tani nuk dihet ende se kush do të jenë përfaqësuesit nga Presidenca dhe institucionet tjera në këtë grup.

Grupi Punues për mbështetjen e krerëve të UÇK-së në Apel u formua të mërkurën e 14 tetorit.

Këtë grup do ta udhëheqë Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.

Ky veprim po ndodh pasi që Gjykata Speciale dënoi më 16 shtator me 81 vjet burgim ish-krerët e UÇK-së.

Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Jakup Krasniqi me 25, Kadri Veseli me 18, dhe Rexhep Selimi me 13.