Dega e partisë “Guxo” në Pejë ka njoftuar mbylljen e aktivitetit të saj dhe dorëheqjen e drejtuesve kryesorë, duke i dhënë përkrahje të hapur presidentes Vjosa Osmani.
Sipas një deklarate nga ish-anëtarët e kryesisë së degës dhe këshillit të përgjithshëm të partisë në Pejë, dorëheqja ka ardhur për shkak të mungesës së mbështetjes për presidenten Osmani brenda partisë. Ata e vlerësojnë znj. Osmani si një lidere që ka përfaqësuar me dinjitet Republikën e Kosovës dhe ka mbrojtur interesin e shtetit në mënyrë të vendosur.
“Është shqetësues qëndrimi i znj. Donika Gërvalla, e cila ka lobuar kundër rizgjedhjes së presidentes Osmani. Për ne është e papranueshme që brenda të njëjtit subjekt politik të mungojë përkrahja për një presidente me integritet dhe përkushtim ndaj shtetit,” thuhet në reagimin e tyre.
Për shkak të mosmarrëveshjeve dhe në shenjë mospajtimi me drejtimin e partisë, ish-drejtuesit kanë vendosur të japin dorëheqjen dhe të mbështesin presidenten Osmani në çdo vendim të mëtejshëm.
Në reagim, ata gjithashtu kritikuan mosdorëheqjen e dy bashkëkryetarëve të partisë, Faton Peci dhe Donika Gërvalla, të cilët sipas tyre, kanë uzurpuar drejtimin e subjektit politik.
Nënshkrimet e dorëheqjes i përkasin: Nezir Jahmurtaj, Ruzhdi Blakaj, Ramiz Cukaj dhe Feriz Gashi, ish-anëtarë të kryesisë dhe këshillit të përgjithshëm të degës “Guxo” në Pejë.









