E themeluar fillimisht si një listë, Partia Guxo – që u krijua nga dy ish-anëtare të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani e Donika Gërvalla – ndryshe nga emri, nuk guxoi asnjëherë të garojë vet në zgjedhje.

Në mungesë të guximit për të garuar vetëm, kjo parti gjithmonë u bë pjesë e Listës së Vetëvendosjes. Prandaj, shumë kush nuk e konsideron si parti pa identitet, por si “satelit” të VV-së.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, në një listë me Vetëvendosjen – kur u bashkuan Vjosa Osmani e Albin Kurti dhe morën mbi 50 për qind – Guxo mori 7 deputetë. Osmani e la partinë pasi që u zgjodh presidente. E dy figurat e tjera, Donika Gërvalla e Faton Peci – të cilët u bënë bashkëkryetar të Guxos – morën poste ministrore – njëra në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme, tjetri në atë të Bujqësisë. Të tjerë në pozita zëvendësministrash.

Edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2021, Guxo mbështeti Vetëvendosjen.  E njëjtë, Guxo bëri edhe në zgjedhjet parlamentare të këtij viti (9 shkurt 2025), ku u shkri në listën e Vetëvendosjes.

Situata pak a shumë e njëjtë ishte edhe në zgjedhjet lokale të këtij viti (12 tetor raundi i parë, 9 shkurt raundi i dytë). Guxo nuk pati kandidatë në shumicën dërrmuese të komunave, por mbështeti ata të VV-së. Ndërsa në ato ku pati, si në Lipjan, rezultati ishte tejet i dobët. Ardian Bytyqi, që ishte kandidat i Guxos për Kryetar të kësaj komune mori pak më shumë se 1 për qind të votave.

Edhe në Gjilan garoi, por kandidati i saj, Ilir Poroshtica, u tërhoq në gjysmë të rrugës. Bashkë-kryetari i Guxos, Faton Peci, garoi e fitoi në Mitrovicë, por nën siglën e VV-së, jo me atë të partisë që bashkëdrejton. Ndërsa, në garën për asamble, ku garuan në disa qytete, rezultatin e patën të papërfillshëm në shumicën e komunave. Rezultati më i mirë ishte sigurimi i një ulëses në asamblenë komunale të Prishtinës.

Dhe si të ishte një “degë” e VV-së, Guxo edhe në këto zgjedhje, që do të mbahen më 28 dhjetor, shkon sërish në koalicion me Vetëvendosjen.

Vjosa Osmani e Donika Gërvalla dikur përplaseshin fort brenda LDK-së me anëtarët e tjerë dhe kështu kjo i portretonte si të guximshme. Por, si subjekt politik, asnjëherë nuk guxuan të garojnë vetëm në zgjedhje.