Ministria e Ekonomisë e ka konfirmuar se lajmi i publikuar nga Gazeta “Nacionale”, se ata refuzuan t’ia japin një kristal/guri të çmuar, Presidentes Vjosa Osmani, të cilin ajo donte t’ia dhuronte Presidentit amerikan, Donald Trump, është i vërtetë.

Por, ata arsyetohen se nuk ishte mungesë vullneti, por pamundësi për të përfunduar procedurat ligjore për të plotësuar këtë kërkesë të Presidentes.

“Kërkesa nga Zyra e Presidentes për dhurimin e kristalit është pranuar më 16 shkurt 2026, përkatësisht një ditë para udhëtimit zyrtar të Presidentes të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e ministrisë, prandaj, shfajësohen ata “për shkak të procedurës ligjore dhe administrative, koha ka qenë e pamjaftueshme për të përmbushur kërkesën”.

Në reagimin qesharak, ministria shton se “dhurimi apo shkëmbimi mund të realizohet vetëm me vendim përfundimtar, pas rekomandimit të dhënë nga komisioni profesional. Rrjedhimisht, për përmbylljen e këtij procesi, afati kohor ka qenë tejet i shkurtër”.