“Kthej 200 mijë eurot e vjedhura”.
Kështu i është drejtuar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, asaj të Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, duke aluduar për grantet nga Ministria e Bujqësisë.
Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, gjatë paraqitjes në foltoren e Kuvendit iu drejtua kryesuesit të seancës, Avni Dehari, dhe anëtarëve Qeverisë si “ushtrues detyre”.
Behrami po ashtu ka ironizuar edhe me Albulena Haxhiun të cilën e cilësoi si “kandidate e përjetshme” për kryetare të Kuvendit.
Fjala e tij u ndërpre menjëherë. Pasi dështoi seanca, deputetët e tri partive opozitare vazhduan të qëndronin në sallë të Kuvendit.
Kjo po bëhet si shenjë proteste “për mosrespektim të aktgjykimit të Kushtetueses nga partia që ka fituar më së shumti ulëse”.
Meqë Lëvizja Vetëvendosje nuk po heq dorë nga kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ka dështuar edhe seanca e 44-të.
Subjekti i Albin Kurtit preferon që fillimisht të shkohet me votim të fshehtë, e që në rast se Haxhiu s’merr votat e mjaftueshme, të propozohet kandidat i ri.
Vendimi i Gjykatës Kushtetueses – i publikuar më 26 qershor – ndonëse i njëjtë për të gjithë, u interpretua ndryshe nga partia në pushtet, e ndryshe nga opozita.