Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në reagimin e tij për gjetjen edhe të një lokacioni të mbetjeve mortore në Zubin Potok, ka përmendur udhëheqësit aktualë serbë, duke shkruar  se Aleksandar Vuçiq ishte numri dy i Vojisllav Sheshelit, Ivica Daçiq numri dy i Sllobodan Millosheviqit, ndërsa Aleksandar Vulin “numri dy i Mira Markoviqit”.

Përmendja e Mira Markoviqit rikthen në vëmendje deklaratat e mëhershme të ish-kryetarit të Degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, Faruk Mujka, i cili kishte pranuar publikisht se kishte qenë pjesë e partisë JUL (Jugosllav Left), të udhëhequr nga bashkëshortja e Sllobodan Millosheviqit.

Mujka nuk e kishte mohuar dokumentin që qarkullonte prej vitesh për anëtarësimin e tij në këtë parti, por ishte shprehur se askush nga komandantët me të cilët kishte bashkëpunuar nuk ia kishte përmendur këtë çështje.

“Sa i përket partisë së JULL-it, gjatë këtyre viteve kam pasur takime, konsultime, dreka e darka dhe shumë foto me pothuajse shumicën e komandantëve të famshëm. Asnjëri nuk ma ka përmendur as JULL-in, as gruan e Sllobës”, kishte deklaruar Mujka.