Tetë liderë të rëndësishëm evropian janë rreshtuar për të mbrojtur territorin autonom danez të Grenlandës, mes kërcënimeve në rritje nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump se shteti i tij mund të marrë nën kontroll ishullin e pasur me minerale.

Në një deklaratë të përbashkët, liderët evropianë këmbëngulën se siguria e Grenlandës duhet të garantohet në mënyrë kolektive nga NATO-ja dhe në përputhje të plotë me vullnetin e popullit të saj.

“Siguria në Arktik duhet të arrihet në mënyrë kolektive, në bashkëpunim me aleatët e NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara, duke respektuar parimet e Kartës së OKB-së, përfshirë sovranitetin, integritetin territorial dhe paprekshmërinë e kufijve”, shkruan liderët në deklaratë, disa orë pasi Trump tha se Uashingtoni “ka nevojë” për Grenlandën.

Deklarata është nënshkruar nga kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Friedrich Merz, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, kryeministri britanik, Keir Starmer, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, dhe kryeministri polak, Donald Tusk. Kryeministri holandez, Dick Schoof, shkroi një postim pak çaste se Holanda “e mbështet plotësisht” deklaratën.