Jeta Xharra, drejtoresha e kompanisë BIRN, është përfshirë në një situatë me potencial trajtimi nga Prokuroria e Kosovës, ku prona e shtetit është lëshuar me qira me një çmim jo vetëm larg çmimit të tregut por edhe krejtësisht qesharak.
Dy kate të Hotelit Grand me përafërsisht 1 mijë metra katrorë i janë dhënë asaj me qira për vetëm 400 euro.
Siç mund ta shihni në vendimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, katin tetë dhe nëntë të Lamelës A, pronë e Ndërmarrjes New Co Grand Hotel, i merr për 400 euro BIRN Kosova. Për të mundësuar njëfarë arsyetimi publik, këtu ata e fusin edhe Komunën e Prishtinës si qiramarrës formal.
Ideja është që kur institucioni i shtetit merr me qira pronë të shtetit, qiraja është më lirë. Por, siç mund të shihet qartësisht, kjo pronë në qendër të qytetit nuk po merret për t’i shërbyer komunës.
Një detaj tjetër që mund të vërehet në këtë kontratë është se ajo mund të kalojë përhershëm në shërbim të BIRN Kosova, duke e lënë si hapësirë kushtuar njëfarë të ashtuquajturi muze.
Por, siç tregojnë kontrata të tjera të qirasë nga Agjencisë Kosovare të Privatizimit, edhe kur janë në pyetje institucione shtetërore, qiraja nuk mund të jetë aq e vogël.
Ja për shembull, këtu e keni një kontratë qiraje në objektin e njëjtë, në Hotel Grand me “Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore”. Kjo agjenci shtetërore ka marrë katër zyra në Grand me gjithsejtë sipërfaqe 159.2 metra katrorë kurse paguan qira 1 mijë e 777 euro.
Pra, sipërfaqja është nja 10 herë më e vogël se ajo e Jeta Xharrës por pagesa rreth 30 herë më e madhe. Nëse do të vlente çmimi i njëjtë si për këtë agjenci shtetërore edhe për Xharrën, atëherë pagesa do të ishte rreth 12 mijë euro.
Pra, çmimin prej 400 euro për hapësirë rreth 1 mijë metra katrorë, nuk e arsyeton as fakti se po bëhet për muze a çkado qoftë.
Shpjegimin më të mirë pse dikujt si Jeta Xharra i mundësohet ta marrë pronën e shtetit dhe ta përdorë atë sikur ta kishte lodër personale na e dha ky punëtor i Grandit në kushte anonimiteti.
Ta keni parasysh se ky është një marifet i kurdisur nga gazetarja e cila për të kryer llogaritë propagandistike të Albin Kurtit – jo rrallëherë ka luajtur rolin e qytetares së përvëluar nga mërzia e çmimeve të lira nga Agjencia Kosovare e Privatizimit për politikanë të shumtë në Kosovë, pa u marrë asnjëherë me historinë e privatizimeve e manipulimeve të eksponentëve të lidhur me pushtetin, dhe duke i shfrytëzuar tinëzish përfitimet e një kontrate 400 euroshe.
Nejse… kjo është skemë e vogël krahasuar me malin e madh të çështjeve për të cilat si gjithmonë do të flasim hapur e drejtë e në sy.