Megjithatë, këto nuk do të jenë zgjedhje monotone.

I trumbetuar nga Vetëvendosje si një proces që “nuk ndryshon asgjë”, 7 qershori mund të jetë një moment kthese në një labirint tensionesh dhe kërkesash për stabilitet.

Lëvizjet dinamike të muajve të fundit: prishja e aleancave të fuqishme, pajtimet e mëdha, një verdikt në pritje në Hagë për liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mungesa e një gjenerali në garë, një “parti e re” dhe një krizë e rëndë ekonomike, mund të ofrojnë një tablo të ndryshme në ambientin politik të Kosovës.

Por ajo që i intereson më së shumti të gjithëve është nëse zgjedhjet kësaj here do të prodhojnë stabilitet institucional apo një stuhi të re krizash, shkruan VOX Kosova.

“Fifty-fifty”

Beteja mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit është tashmë kryefjala e këtyre zgjedhjeve.

Në vitin 2021, Osmani u largua nga LDK dhe iu bashkua Kurtit, duke u konsideruar faktor kyç në fitoren historike mbi 50%.

Foto nga arkivi: Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me ish-Presidenten Vjosa Osmani, kur garonin me një listë zgjedhore më 2021.

Si presidente, ajo u pa si mjet i Kurtit për konsolidim të pushtetit.

Pesha e saj u llogarit e ndjeshme edhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit,  pasi ende fryma e binomit të tyre endej në Kosovë e diasporë – kjo e fundit një bazën votash për Vetëvendosjen.

Por gjërat ndryshuan shpejt dhe ata, nga distanca, por me pak kujdes e nënkuptime, kanë nisur sulmet ndaj njëri-tjetrit.

Osmani, që e dëshironte një mandat të ri presidencial, e që Kurti nuk ia ofroi, ka nisur qysh moti daljet në terren për ta konsoliduar veten në garë politike.

Një ribashkim i saj me LDK-në është në horizont, i cili nga kreu i partisë, Lumir Abdixhiku, quhet “bashkimi i madh i së djathtës”.

Foto nga arkivi: Vjosa Osmani dhe Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në Presidencë kur Osmani ishte Presidente.

Në LDK, megjithatë, nga një kamp i fortë ka ende hatërmbetje për Osmanin dhe braktisjen që ajo ua bëri në një moment kritik.

Këto zgjedhje do të tregojnë nëse pesha politike e Vjosa Osmanit ishte një 50% brenda 50 përqindëshit bashkë me Kurtin dhe nëse plagët e ndarjes janë shëruar në LDK.

Do të vërtetohet gjithashtu nëse përjashtimi i Vjosës nga Kurti do të ishte karta e gabuar e tij.

Brothers in arms

Partia Demokratike e Kosovës ka arritur, si me “qykë të zorit”, të mbajë peshën solide si partia e dytë në vend, me 22 deputetë.

Përkundër përpjekjeve për ndryshime në drejtim, nuk arriti ta kapërcejë e as ta barazojë në rezultat veten e dikurshme.

Mungesa e dy liderëve historikë të saj, “vëllezërve të pushkës e paqes” – Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit – ka qenë një nga hendikepet e mëdha.

Foto nga arkivi: Në të majtë Hashim Thaçi dhe në të djathtë Kadri Veseli me një bashkëluftëtar gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Për dallim nga betejat e hershme elektorale që nga viti 2021, ky momentum duket të jetë interesant edhe për PDK-në edhe për Kosovën.

Në muajin maj ose edhe në qershor ka gjasa të jepet verdikti për krerët e UÇK-së dhe, çfarëdo që të jetë ai, do të ndryshojë për shumë shkallë situatën politike në vend, e sidomos edhe në PDK.

Në prapaskenë, tema e vjetër për ta ka gjasa të jetë sërish temë në këto zgjedhje: rikthimi i Çelikut – Fatmir Limajt, bashkëluftëtari dhe dikur njeriu i dytë i Hashim Thaçit në PDK.

Foto nga arkivi: Ish-Presidenti, Hashim Thaçi dhe Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, gjatë kohës kur ky i fundit ishte në PDK.

Të ndarë që nga viti 2014, PDK dhe Limaj tentuan në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 të gjejnë njëri-tjetrin, por pa sukses.

Historia e angazhimit të Limajt në opozitë kundër PDK-së në pushtet dhe flirtimet e tij me Albin Kurtin, sapo fitoi tre mandate në Parlament me Aleancën, ishin muret që ndaluan bashkimin.

Fatmir Limaj ka qenë i gatshëm të hyjë pa kushte në PDK, por do të mbetet të shihet nëse PDK-ja do t’ia hapë derën në një moment elektoral me shumë pikëpyetje.

Një bashkim i tyre do ta nxehte edhe më shumë garën në vigjilje të verës, por edhe PDK-ja ndoshta do të fillonte të hynte në ujëra të tjera.

Rreshti i gjeneralit

Gjenerali do të jetë në rresht, por jo në krye të ushtrisë.

Zgjedhjet e 7 qershorit shënojnë përballjen e parë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës pa Ramush Haradinajn si kandidat për Kryeministër – një nga komandantët emblematikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në vend të tij, kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, merr rolin e kapitenit të ri të anijes.

Foto nga arkivi: Kryetari në largim i AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe Kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini, i cili në zgjedhjet e 7 qershorit do jetë kandidat për Kryeministër nga radhët e AAK-së.

Dhe pyetja në këto zgjedhje është nëse anija, që dikur drejtoi dy qeveri në koalicione të ndryshme, do të mund të lundrojë më mirë pa gjeneralin, apo nëse kapiteni i ri do ta çojë drejt furtunave mes së ardhmes dhe së kaluarës.

Opozita e opozitës

Partia Socialdemokrate e Kosovës, e dalë qysh moti nga zemra e Vetëvendosjes, nuk ka pasur guximin të futet në garë në dy palë zgjedhje nacionale. Nuk ka arritur ende të ndërtojë një identitet të qëndrueshëm politik.

Beteja e saj e parë serioze që nga themelimi ishin zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, ku sfidoi në Prishtinë, Kamenicë dhe Deçan, por pa rezultat.

Kësaj here ka vendosur të futet në garën nacionale.

Me asnjë ndryshim në strukturën drejtuese dhe me një histori jo fort të bujshme aksionesh simbolike kundër Qeverisë, PSD po hyn në këtë garë me strategjinë e një opozite kundër opozitës.

Foto nga arkivi: Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj.

E vetëdijshme për peshën e saj në skenën politike deri tani, e sulmuar ende për “tradhtinë” ndaj Kurtit në 2017, PSD-ja do ta ketë testin e saj ndoshta vendimtar: nëse ia vlen ekzistenca si e vetme, nëse është një pjesë e opozitës që e meriton të jetë në Kuvend, nëse kishte të drejtë për modelin e opozitëbërjes.

Apo, në fund, do të ndodhë një ndarje e re dhe si kuadro politikë do të shpërndahen në parti politike apo shoqëri civile – siç bënë dikur ish-kolegët e tyre.

Në majë të këtyre dilemave qëndron më e madhja: nëse kjo skenë politike do të arrijë të prodhojë stabilitet pas dy vjetësh betejash e strategjish për pozitat shtetërore, apo nëse edhe ky grafik i ri politik do t’ua servojë qytetarëve një krizë të re të pambarimtë, me dilema kushtetuese, përplasje në Kuvend dhe, në fund, sërish zgjedhje. /VOX Kosova