Kompania GP Aviation, që ia ka borxh shtetit gjerman 9 milionë euro dhe pronari i të cilës, Ganesh Piga, u arrestua në prill të këtij viti për mashtrim tatimor, tash ka kaluar krejtësisht në pronësi të Edvin Rrahmanajt, djalit të Bali Rramanajt. Që të dy bashkë i kanë në pronësi kompanitë Prishtina Ticket, Prishtina Air Ticket dhe Prishtina Ticket Schëeiz AG.
Për kalimin e pronësisë së plotë nga Ganesh Piga te shqiptari Edvin Rrahmanaj shkroi gazeta prestigjioze Neue Zürcher Zeitung.
Por, borxhet milionëshe të kompanisë ndaj autoriteteve gjermane dhe kalimet e dyshimta të pronësisë nuk janë problemet e vetme të kësaj kompanie, që operon nga Zvicra, është e regjistruar në Bullgari dhe fluturime ka vetëm për Kosovë e nga Kosova.
Platforma zvicerane për të drejtat e pasagjerëve ajrorë “Cancelled” ka ngritur padi të shumta kundër GP Aviation, në emër të klientëve të dëmtuar, për shkak të anulimeve të fluturimeve dhe vonesave.
Siç tregohet nga hulumtimi i zviceranëve, GP Aviation rrallëherë i paguan kompensimet dhe detyrimet ndaj pasagjerëve.
Edhe një platformë tjetër, me emrin “FlyHelp”, e cila u mundëson pasagjerëve të dëmtuar të marrin paratë e kompensimeve, ka njoftuar se ka kërkesa të papaguara nga GP Aviation që arrijnë në qindra mijëra euro.
GP Aviation, që është e njëjta gjë me Prishtina Ticket, u bë e njohur në Kosovë në vitin 2024, kur Qeveria e Kosovës e emëroi për shërbime të transportit ajror, duke e prezantuar si një kompani nga Bashkimi Evropian.
Në njoftimin e atëhershëm të Aviacionit Civil tregohej se kësaj kompanie po i jepeshin linjat Prishtinë–Cyrih, Prishtinë–Bazel dhe Prishtinë–Gjenevë.
Kompania praktikisht u kthye në një lloj kompanie ajrore jozyrtare shtetërore të Kosovës për fluturimet për në Zvicër.
Se qeveria e ka ngushtë me këtë kompani u pa edhe me vendimin e qeverisë për t’i subvencionuar linjat ajrore me 2 milionë euro, kur kerozina u shtrenjtua dhe rrezikohej të anuloheshin fluturimet.
Meqë fluturime të planifikuara kishte më së shumti GP Aviation/Prishtina Ticket, edhe para nga këto dy milionë më së shumti i takonin kësaj kompanie.
E, mbase si mirënjohje për kryeministrin, kompania lansoi në qershor të këtij viti edhe një linjë shumë të veçantë, atë për Oslo të Norvegjisë, qytet ku kryeministri i Kosovës e ka një banesë dhe i jeton familja.
VOX Kosova tash e dy javë ka kërkuar nga Qeveria t’i shpalosë shifrat e subvencioneve për linjat ajrore, për të parë edhe zyrtarisht se cila kompani u subvencionua më së shumti.
Por institucionet nuk po duan t’i japin. Nuk po duan të tregohen transparente me qytetarët, taksat e të cilëve po i shpërndajnë nëpër kompani të dyshimta private.








